“Shqipëria, sukses në luftën kundër korrupsionit”
Kryetarja e Bordit të “Transparency International”, Labelle takon në samitin e Davosit, Kryeministrin Sali Berisha
TIRANE - Kryetarja e Bordit të “Transparency International”, Huguette Labelle ka shprehur dje vlerësime pozitive për sukseset e arritura nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit, si dhe ofroi mbështetjen e institucionit që drejton për vazhdimin me sukses të kësaj lufte.
Në përfundim të qëndrimit të tij në Davos ku mori pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim zonjën Labelle të cilën e informoi mbi, “luftën e vendosur të ndërmarrë nga qeveria shqiptare kundër korrupsionit në çdo hallkë”.
Kreu i qeverisë shqiptare vuri theksin veçanërisht në reformat e ndërmarra për dixhitalizimin e shërbimeve për regjistrimin e biznesit, prokurimet publike, në tatime dhe dogana, si dhe reduktimin e lejeve dhe licencave.
Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë dhe vendosmërinë e qeverisë për të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm që ky fenomen të luftohet me efikasitet, duke qenë një prioritet i qeverisë shqiptare. Duke informuar mbi projektet e mëtejshme të qeverisë shqiptare në këtë drejtim, kryeministri kërkoi ndihmën dhe mbështetjen e këtij institucioni.
Në këtë drejtim, kryeministri Berisha mori garancinë se “Transparency International”, si institucioni më prestigjioz dhe i specializuar në procesin e vështirë të luftës kundër korrupsionit, do të studiojë dhe parashikojë rrugë e mjete të tjera për të shndërruar vullnetin e kryeministrit dhe qeverisë shqiptare për tolerancë zero kundër korrupsionit, në një paketë reformash të mëtejshme në këtë drejtim.