E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeparlamentarja Topalli, ftesë deputetëve opozitarë të japin kontributin e tyre në sesionin e ri parlamentar

01-09-2011 / Gazeta 55

Jozefina Topalli, Kryetarja e Kuvendit i ka ftuar sot deputetët e opozitës të bëhen pjesë e seancave plenare të parlamentit dhe të votojnë ligjet. Topalli i ka bërë thirrje opozitës të bashkëpunojë për reformat e rëndësishme për vendin duke i votuar ato në parlament.


Në një konferencë të sotme për shtyp Kryeparlamentarja Topalli i ka bërë apel opozitës të mos bojkotojë seanca plenare por të votojë ligjet që janë të rëndësishme për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.


“Këtë sesion na presin shumë reforma të tjera. Reforma zgjedhore kërkon më shumë sfida. Kuvendi nuk mund të jetë vetëm vendi i deklaratave, ai duhet të jetë edhe vendi i punës. Deputetët e mazhorancës dhe të opozitës duhet të punojnë dhe votojnë sëbashku. Strategjia e bojkotit është një anakronizëm i skualifikuar që nuk ka vend në shekullin e 21” ka theksuar Topalli.


Ajo gjithashtu ka theksuar se tashmë për stacionet e reja drejt integrimit duhen edhe votat e opozitës prandaj të gjithë deputetët duhet të votojnë ligjet që kërkohen nga Bashkimi Europian.


“Ftoj kolegët e opozitës të punojmë bashkë. I ftoj të votojmë bashkë. Po hyjmë në vitin e tretë të kësaj legjislature dhe kemi mundësinë të bëjmë hapa drejt BE-së. Në parlament të gjithë deputetët duhet të votojnë mbi këtë konsensus. Duhet të ngrehmë komisionin për reformat zgjedhore dhe këtë duhet ta bëjmë bashkë”- ka shtuar Topalli.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›