E Diel, 1 Nëntor 2026

Reperi 'Stresi', kalon natën në qeli për faj të policëve

TIRANË- Telenovela me emrin 'Stresi' ka qenë padiskutim seriali me më shumë pjesë gjatë këtij viti… Ndalime, fletë arresti, lirime, ndarje, e sërish arrestime. Kjo ka qenë në vija të trasha ajo që ka ndodhur në jetën e një prej reperëve më të përfolur në Shqipëri. Stresi, djaloshi 'trazovaç' i skenës shqiptare është ndaluar sërish gjatë ditës së djeshme, veçse këtë herë për një gabim të policisë. Duket se inspektorët e Drejtorisë së Përgjithshme kanë harruar ta heqin emrin e Arkimed Lushaj nga lista e të kërkuarve, pas vendimit të Gjykatës së Lartë më 13.07.2011 dhe për këtë arsye Policia Kufitare e ka ndaluar reperin në Qafë Thanë ndërsa udhëtonte për koncertin e radhës në Pejë. Ndalimi është bërë për shkak të akuzës që rëndonte mbi të riun për gjobëvënie dhe kanosje me armë, ndaj regjisorit Leonard Bombaj, proces ky që ende nuk është zgjidhur…

Me të mësuar rreth kësaj ngjarjeje, gazetarët e "Summer Pages" kanë kontaktuar me reperin dhe nga biseda me të kuptuam se gjithë kjo histori është kthyer në një aventurë tanimë për të. Kështu i është përgjigjur edhe pyetjeve tona, pa e vrarë shumë mendjen dhe me humorin që gjithmonë e ka karakterizuar Stresi thotë: "Po i shijoj pa fund këto aventura, sa qejf". Reperi e ka kaluar natën e djeshme në qelitë e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Tiranë, nga dera e së cilës duhet të ketë dalë në orë 08:00 të mëngjesit të sotëm.

Edhe më herët gjatë këtij viti, reperit i është dashur të kalojë orë në burg. Nuk harrojmë të kujtojmë këtu historinë e tij në Belgjikë, ku kaloi disa ditë pas hekurave për shkak të padisë që ish e dashura belge, kish bërë ndaj tij vite më parë për shkatërrimin e pronës private, më saktë makinës së saj. Sapo ai proces u zgjidh, pra kur Stresi u rikthye në Shqipëri, këtu plasi skandali "Bombaj"... Pas akuzave që rëndonin mbi Leonard Bombajn për përdhunim të të miturës, regjisori paditi reperin dhe mikun e tij Elis Bashaj për kanosje me armë dhe gjobëvënie...
(Summer Pagess/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›