E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria ndryshon ligjin e dëmshpërblimit të të përndjekurve

01/09/2011  Miratohet propozimi i Ministrisë së Drejtësisë për veprat e kundërshtarëve të regjimit

Berisha: Me këtë amendim zgjerohet spektri i atyre që përfitojnë dëmshpërblim

Që në fillim të mbledhjes së djeshme të qeverisë, Kryeministri Berisha i është referuar ndryshimit të ligjit për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, propozim ky i Ministrisë së Drejtësisë. Në fjalën e tij Berisha theksoi se me këtë amendim zgjerohet spektri i atyre që përfitojnë, duke qenë se në ligjin ekzistues është bërë një interpretim jo korrekt i veprave për të cilën janë dënuar gjatë diktaturës, kundërshtarët e regjimit. “Janë etiketuar për vepra që nuk i kanë kryer kurrë, janë trilluar shpifje, akuza ndër më monstruozet vetëm e vetëm për të konsoliduar mekanizmin shtypës mbi qytetarët e këtij vendi. Dokumentet autentike faktojnë platformën e pohuar me gojën e diktatorit dhe shkrimin e tij, platformën e eliminimit të kundërshtarëve politikë pa gjyq dhe pa asgjë, platformën e zbatimit verbërisht të çdo urdhri, të armiqve të betuar të kombit shqiptar që themeluan Partinë Komuniste Shqiptare”, u shpreh Kryeministri. Duke e vlerësuar këtë një proces të mirëpritur, Berisha nënvizoi duke thënë se në mënyrën më të padiskutueshme e drejta duhet të mbizotërojë. “Nuk bëhet fjalë këtu për të zbutur asnjë qëndrim ndaj kolaboracionistëve. Kolaboracionizmi ka marrë ndëshkim botëror, por bëhet fjalë për ata, të cilët u ekzekutuan për bindje të drejta politike, për qëndrime të qarta kombëtare, ndaj dhe duhet ditur që ky ligj është një ligj që do të ketë dinamizmin e domosdoshëm”, tha dje Berisha në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave teksa u shqyrtua vendimi "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për dëmshpërblimin e ish - të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar. Për këtë, shefi i ekzekutivit bëri të ditur se ligji ndryshon gjithashtu dhe një rregull për ata që janë mbi 85 vjeç, duke mbajtur një qëndrim tjetër në kohën për dëmshpërblimin e tyre. “Pra, unë e konsideroj një ligj shumë të rëndësishëm dhe shumë të drejtë”, – përfundoi Berisha.

Ndryshimi i historisë

Në mbledhjen e djeshme të qeverisë Kryeministri i vendit kërkoi ndryshimin e historisë së periudhës së komunizmit, pasi sipas tij nuk reflekton të vërtetën, ndërsa ka shtuar se është tragjike që edhe pas 20 vitesh historia nuk ka zbardhur të vërtetën tragjike që përjetoi populli ynë në mënyrën më mizore. “Për Enver Hoxhën është tragjike se ka një histori të trilluar në funksion të kultit të tij dhe ende shqiptarët dhe bota nuk ka veprat e barbarive të tij. Ky është realiteti. Kështu është dhe historia, shumë e cunguar. Njeriu që ndërtoi shtetin prapë mbetet i skajuar, dhe ky është Mbreti Zog. Përse mbetet i skajuar sepse në propagandën e tij, diktatori vendosi një mal shpifjesh mbi sundimin e tij. E vërteta është që në histori i pari ndërtoi shtet dhe histori në një kohë kur elementet aventurierë, të cilët donin me pyka dhe qyta të përmbysnin çdo javë një qeveri, nuk ishin të pakët, por ai ndërtoi shtetin. Vendosi ligjin. Një gjë është e sigurt dhe historia do të dalë siç është. Nuk është kurrë historia dhe nuk ka qenë kurrë vetëm me të mira, vetëm me lavdira. Historia është histori dritëhijesh”, - theksoi dje Berisha.

Propozimi i Kryeministrit

Berisha: Muze për Spaçin, Evropa të njohë krimet e Enverit

Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Kryeministri Berisha kërkoi që historia e dhimbshme e shqiptarëve që vuajtën nën regjimin komunist, duhet të konkretizohet me fakte. Për këtë shefi i ekzekutivit kërkoi nga Ministria e Kulturës të paraqesë në qeveri kërkesën për ndërtimin e Muzeut historik në Spaç. “Historia e vendit tonë është e cunguar. MTKRS duhet të sjellë në qeveri vendimin për ngritjen e muzeut të Spaçit. Spaçi duhet të rindërtohet, të simbolizojë që të gjithë egërsinë e diktaturës. Ne nuk mund të shkojmë drejt 100-vjetorit pa ridimensionuar, siç ishte historia jonë, pa qëllime hakmarrëse. Në Shqipëri nuk pati hakmarrje. Ju e shihni Çian Çini shqiptar jep intervista kundër qeverisë. Kjo është e vërteta. Nuk ka pasur dhe nuk ka këtu tendenca, por kujtesa kombëtare është e domosdoshme, vendosja e kujtesës, nderimi është i domosdoshëm. Ne jemi komb që duhet të mësojmë për të ndërtuar të ardhmen, por duke njohur dhe atë që përjetuam”, u shpreh Kryeministri. Ndërsa duke përfunduar Berisha theksoi se “Ne jemi komb që duhet të mësojmë për të ndërtuar të ardhmen, por duke njohur dhe atë që përjetuam”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›