Kryeparlamentarja Topalli takim me gratë biznesmene: Kuvendi është i hapur për të gjithë

promovuese e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli për rritjen e pjesëmarrjes së gruas në vendimmarrje dhe në politikë, vijoi sot me një takim me gra të suksesshme biznesmene, pedagoge në fushën e ekonomisë, anëtare të Dhomës Amerikane të Tregtisë. Takimi me temë “Rritja e rolit të gruas në jetën politike të vendit dhe në instancat vendimarrëse“ kishte për qëllim shkëmbimin e ideve dhe qëndrimeve për një komunikim më efikas të grave në biznes dhe në aktivitete tregtare, me politikën në Kuvend. Kryetarja e Kuvendit tha se ka zgjedhur posaçërisht këtë takim me gra, lidere në biznes, për të vijuar në vitin 2009, fushatën kombëtare sensibilizuese në mbrojtje të të drejtave të grave. “Ky është një rast i mirë që nga ky takim i historive të suksesit të secilës prej jush, të japim mesazhe për çdo grua që mund të bëhet si ju. Jam e bindur se gratë lindin me dhuntinë e të qënurit lidere“ , u shpreh ndër të tjera ajo. Duke shpjeguar rolin e Kuvendit në përmirësimin e legjislacionit, klimës ekonomike dhe biznesit në vend, Kryetarja e Kuvendit garantoi pjesëmarrëset, se zyrat e Parlamentit dhe komisioneve do të jenë gjithmonë të hapura për to. “Ky Kuvend gjatë këtyre viteve në fakt është transformuar në konceptin e tij dhe është hapur për të gjithë. Ndaj mendoj se ky partneritet, bashkëbisedim i hapur, i sinqertë, mes politikës dhe biznesit, vetëm se ndihmon për një perspektivë dhe afrim me biznesin”, deklaroi Kryetarja e Kuvendit.
Nga ana e saj Drejtoresha e Dhomës Amerikane të Tregëtisë, Filloreta Faber falenderoi veçanërisht znj. Topalli për takimin e parë të këtij lloji me gratë biznesmene, si dhe vlerësoi angazhimin dhe gadishmërinë e saj në mbrojtje të grave. “Ideja e këtij takimi është të shkëmbejmë mendimet dhe të lobojmë me gjithë grupet e tjera të interesit, që gratë të bëhen pjesë aktive e hartimit të politikave dhe vendimmarrjes”, tha znj. Faber. Kryetarja e Komitetit te grave në biznes Olimbi Ibrahimi tha se është në nderin e këtij komiteti që promovon nismat për vitin 2009, para Kryetares Jozefina Topalli dhe në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, ku është tempulli i fjalës së lirë. "Është fat dhe privilegj për ne gratë që drejtojmë dhe menaxhojmë biznese, që në krye të Parlamentit, kemi një grua, e cila na kupton dhe na mbështet, ne grave të suskesshme, por dhe ato në nevojë."-tha ajo Znj. Ibrahimi i propozoi Kryetares së Kuvendit,Jozefina Topalli që fondi i Komitetit Filantropik të Dhomës amerikane të Tregtisë të shkojë në fushatën për bamirësi dhe grave në nevojë ,fushatë e cila do të drejtohet nga Kryetarja e Kuvendit. Takimi vijoi më tej me diskutime dhe propozime që gratë biznesmene i drejtuan Kryetares së Kuvendit, për një të ardhme të sigurt të bizneseve që ato drejtojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.