E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeparlamentarja feston me gazetarët, botuesit, analistët

Media dhe politika janë si dy pjata tektonike, jo gjithmonë raportet i kanë të mira, por nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën. Kjo ishte përshëndetja që bëri Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përgjatë fjalës së mbajtur në një pritje që organizoi dje me gazetarët, botuesit dhe analistët e mediave në vend. Po kështu Topalli gjeti rastin të theksonte edhe lidhjen e fortë që ajo personalisht kishte me median. “Unë e di se sa orë të zgjatura, sa punë të madhe, se me çfarë shpejtësie ju përcillni lajmin. Në një farë mënyre unë jam e pasionuar pas medias.
Kur kam pak kohë të lirë, kaloj me radhë të gjitha stacionet për të ndjekur çdo lajm, çdo koment, çdo gjë të re që përcillet”, rrëfeu Topalli në fjalën e saj përshëndetëse për të gjithë të pranishmit në pritje. Nga ana tjetër, Topalli theksoi se viti që po mbyllet mund të konsiderohet si një nga vitet më të mbarë për vendin. Sipas Topallit, asnjë vit më parë nuk ka qenë kaq i mbarë për sa i përket integrimit ekonomik për vendin tonë. “Kam parasysh anëtarësimin në NATO, mbylljen e ratifikimit të MSA-së, dorëzimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat, përgjigjen pozitive të 27 vendeve të BE-së në miratim të kërkesës sonë, rezolutën e Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave”, deklaroi Topalli, duke theksuar se të gjitha këto ngjarje të mëdha kanë ndodhur në një kohë shumë të shkurtër. Pas fjalës së shkurtër që mbajti, Kryetarja e Parlamentit gjeti rastin të bisedonte me gazetarët e pranishëm në pritje dhe të ndante me ta diskutime mbi politikën dhe median.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›