E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeprokurore, kaloni provën

Laureta Rryçi

E nderuar zonja kryeprokurore, kur mësuam më 22 nëntor të vitit të kaluar se presidenti Bamir Topi jua kishte besuar juve institucionin e Prokurorisë, mendova se ishte një ogur jo vetëm për femrat, por për të gjithë popullin shqiptar. Për femrat se iu mungon në realitetin shqiptar posti drejtues. Ndërsa për popullin, se iu premtua se do të na kthehej besimi te Prokuroria. Ju latë pas një karrierë të admirueshme dhe pak orë pasi morët votëbesimin e politikanëve tanë na premtuat publikisht që do të mbeteni e njëjta Inë. Që nga ai premtim kanë kaluar vetëm 119 ditë dhe ju duhet të përballeni me provën më publike për ta vërtetuar se a keni ndër mend të mbeteni sërish e njëjta Inë.
Magjistrate e suksesshme, nënë e vendosur, por, mbi të gjitha, gjyqtare e drejtë. Por a jeni dhe një kryeprokurore e drejtë? Këtë dua të na tregoni, jo vetëm mua, apo atyre femrave që u gëzuan ditën kur morët detyrën, të gjithë popullit shqiptar që prej gjashtë ditësh po përjeton ndoshta traumën më të madhe të kohërave të fundit. Tragjedia në Gërdec më së shumti preku banorët fatkeq të zonës, ndonjë kalimtar të zakonshëm, ku mund të kishit qenë dhe ju zonja kryeprokurore, teksa ju duhet të niseni çdo ditë nga Durrësi për në Tiranë e anasjelltas. Më vjen mirë që nuk kaluat në ato çaste, ashtu siç më vjen shumë keq për dhimbjen që po përjetojnë banorët e Gërdecit.
Por tani ngjarja ndodhi dhe nga ju presim dhe besojmë të na tregoni se kush janë përgjegjësit. Nuk dua të arrij në konkluzione se atë të drejtë e keni vetëm ju, njerëzit e ligjit. Mirëpo logjika e thjeshtë se nuk kemi të bëjmë me fatkeqësi natyrore na bën të mendojmë se pas kësaj fshihet papërgjegjshmëria, shfrytëzimi apo edhe ndonjë aferë e keqe, që i doli era pas hirit të viktimave. Përgjegjësia zakonisht është zinxhir dhe mendoj se kjo është prova juaj, që për herë të parë t’i vini para përgjegjësisë së ligjit të gjithë: të madhin dhe të voglin. Të gjithë ata që me veprimet e tyre deri tani sollën 19 të vdekur dhe 244 të plagosur. E pra, kryeprokurore, provë më të mirë për ta rikthyer besimin te Prokuroria nuk besoj se do të keni. Kalojeni provën, hetoni drejt dhe mos favorizoni edhe nëse do të duhej të arrestonit gjithë qeverinë, që ka marrë vendimin për çmontimin e armëve, edhe gjithë Ministrinë e Mbrojtjes, që është marrë me tenderin apo me procedurat e mëtejshme, edhe të gjithë ata drejtues firmash që kanë punësuar fëmijë e gra për të çmontuar predha të kalibrit nga 60 e deri 150 mm.
Bëjeni për 19 viktimat që nuk jetojnë më, bëjeni për 244 të plagosurit që deri dje jetonin të qetë në fshatin e tyre të Gërdecit, bëjeni për ata 5 të zhdukur që nuk u gjendet më as nam e as nishan. Bëjeni për familjen Deliu, se thonë u shua pas flakës që mori formën e kërpudhës mbi Gërdecin e pafat.
Bëjeni për ato katër mijë banorë që nuk u ka mbetur më asgjë nga të gjitha ato që kishin deri para se fabrika e vdekjes të niste punën. Bëjeni për njerëzit që kaluan rastësisht në autostradën Tiranë-Durrës dhe sërish u lënduan. Bëjeni për të gjithë shqiptarët që duket se u kanoset jeta pikërisht prej municioneve. Fundja, s’po ju kërkoj shumë, veçse të bëni detyrën. Këtë tragjedi nuk ua kishim borxh kurrkujt.

21 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›