E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtabi i emergjencës verifikon 11 fshatra të prekur nga shpërthimi

Të paktën 11 fshatra të Komunës së Maminasit dhe të Bashkisë së Manzës në Rrethin e Durrësit janë përfshirë nga dëmtimet e shpërthimeve të së shtunës së kaluar në Gërdec.
Kryetari i Komunës së Maminasit, Dashnor Osmani, tha se tashmë ka përfunduar identifikimi i banesave të dëmtuara në shtatë fshatra të kësaj komune. Sipas tij, në fshatrat e Komunës së Maminasit janë dëmtuar 719 banesa gjithsej, 55 prej të cilave sipas specialistëve rezultojnë të kenë pësuar dëme të rënda. "Në numrin e përgjithshëm të objekteve të dëmtuara përfshihen edhe 34 biznese dhe gjashtë institucione shkollore dhe parashkollore", - tha Osmani. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Manzës, Bujar Huqi, bëri të ditur se, "në përfundim të procesit të identifikimit janë verifikuar 468 objekte të dëmtuara në katër fshatra që u prekën nga shpërthimet në Gërdec". Ai shtoi se në këtë listë bëjnë pjesë edhe 11 subjekte private si dhe katër shkolla dhe kopshte.

Kryqi i Kuq mbledh ndihma në Shkodër për Gërdecin

Kryqi i Kuq Shqiptar ka ndërmarrë një fushatë ndihmash në mbështetje të familjeve të dëmtuara në ngjarjen e fshatit Gërdec të Vorës. Për këtë qëllim, prej dy ditësh ata kanë ngritur çadrën e tyre portative të Kryqit të Kuq në qendër të qytetit të Shkodrës, në sheshin përpara teatrit “Migjeni”. Sekretari i kësaj dege, Andi Çekaj, tha se krahas ftesës së qytetarëve për t’u paraqitur pranë pikave të tyre në qytet, i kanë bërë thirrje edhe institucioneve të ndryshme shtetërore, kompanive të bankave, biznesmenëve, studentëve dhe nxënësve të shkollave që të kontribuojnë për të ndihmuar familjet e dëmtuara nga tragjedia e Gërdecit. Sipas tij, ftesës së Kryqit të Kuq në Shkodër i janë përgjigjur shumë qytetarë shkodranë, të cilët kanë depozituar shuma të ndryshme financiare. Ndërkohë, pranë këtyre pikave janë depozituar edhe materiale të ndryshme shtëpiake dhe veshmbathje për pjesëtarët e këtyre familjeve. Sekretari i kësaj dege, Andi Çekaj, bën të ditur se pikat e ngritura në qytet do të vijojnë të jenë të hapura edhe gjatë ditës së nesërme.

“Albpetrol”, 25 milionë lekë ndihmë për tragjedinë

Kompania publike e nxjerrjes së naftës "Albpetrol" vendosi të dhurojë shumën me vlerë 25 milionë lekë si ndihmë ndaj të prekurve nga ngjarja fatkeqe dhe e dhimbshme e Gërdecit. Drejtori i Përgjithshëm i "Albpetrol"-it, Ylli Gjoni, tha se të gjithë punonjësit e kompanisë u solidarizuan me ndihmën ndaj familjeve të prekura nga kjo fatkeqësi. "Por përveç kontributit financiar, të gjithë punonjësit kanë vendosur të rrisin volumin ditor të punës, me qëllim që vlera të shkojë për përballimin e shumës me vlerë 25 milionë lekë", - tha Gjoni

21 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›