Rregullat e reja për të marrë licencë për transportin rrugor
Ervin Koçi
Qeveria ka përcaktuar rregullat e reja për të përfituar licencë për ushtrimin e veprimtarisë të operatorit të transportit rrugor. Këtyre rregullave të reja do t’u nënshtrohen si operatorët e transportit rrugor të mallrave, ashtu edhe ata të udhëtarëve, kryesisht për transportin interurban. Në mbledhjen e tij të fundit Këshilli i Ministrave miratoi vendimin pikërisht mbi këto rregulla, që lidhen me pranimin në veprimtarinë e operatorit të transportit rrugor të mallrave dhe të udhëtarëve, si dhe për njohjen e dokumenteve zyrtare, të caktuara për këta operatorë, sipas tekstit që і bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Ky vendim mbështetet në nenin 100 të Kushtetutës, dhe të neneve 6 e 43, të Ligjit nr. 8308, datë 18.3.1998, "Për transportet rrugore", të ndryshuar dhe të neneve 83 e 87, të Ligjit nr.8378, datë 22.7.1998, "Kodi Rrugor і Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar dhe u propozua nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Përmes këtyre rregullave do të mundësohet njohja e dokumenteve zyrtarë të nevojshme për rilicencimin e kësaj veprimtarie.
Zbatimi i vendimit
Vendimi në fjalë do të zbatohet për veprimtarinë e transportit rrugor të udhëtarëve, për të tretë ose me qira, brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu vendimi do të zbatohet për transportin ndërkombëtar rrugor të mallrave, si për ato me ngarkesë mesatare dhe për ato, kur ngarkesa maksimale i kalon 1.5 tonë. Transporti i mallrave dhe i udhëtarëve do të lejohet të kryhet nga ndërmarrjet e transportit, kur drejtuesit janë të pajisur me licencën përkatëse për të kryer transport rrugor për të tretë ose me qira, të mallrave ose udhëtarëve brenda vendit. Po ashtu, lejohen kur ndërmarrjet kanë licencën përkatëse për kryerjen e transportit ndërkombëtar. Nga ky vendim përjashtohen ndërmarrjet që kërkojnë të përfshihen në operacionet e transportit të udhëtarëve dhe mallrave për llogari të vet.
Kushtet për licencën
Licenca për pranimin e veprimtarisë së transportit rrugor të mallrave dhe udhëtarëve jepet për operatorët e transportit rrugor kur plotëson kushtet: Të ketë reputacion të mirë, të ketë besueshmëri financiare si dhe të ketë kompetencë profesionale të nevojshme.
Kapitali i ndërmarrjes
Ndërmarrja duhet të garantojë se zotëron një kapital të mjaftueshëm për fillimin dhe administrimin e veprimtarisë së operatorit të transportit rrugor. Sipas vendimit të miratuar nga Qeveria, ndërmarrja duhet të ketë kapital të vlefshëm dhe rezervë të paktën 4000 euro për mjetin e parë dhe 200 euro për çdo mjet shtesë, kur kryen transport ndërkombëtar të mallrave dhe udhëtarëve. Gjithashtu 300.000 lekë për mjetin e parë dhe 15.000 lekë për çdo mjet shtesë, kur kryen transport të mallrave dhe të udhëtareve brenda vendit.
Kompetencat profesionale
Kompetenca profesionale plotësohet në rastin kur personi që caktohet për drejtimin e veprimtarisë së operatorit të transportit rrugor zotëron njohuri të mjaftueshme, që i korrespondojnë nivelit të trajnimit në përputhje me programin bazë të parashikuar me udhëzim të ministrit. Sipas vendimit, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor do të shërbejë si qendër në trajnimin e kandidatëve, që dëshirojnë të pajisen me certifikatën e kompetencës profesionale, për drejtues veprimtarie të ndërmarrjeve të transportit rrugor për mallra ose udhëtarë.
Regjistrimi i ndërmarrjes
Kërkesa për licencim në veprimtarinë e transportit rrugor për të tretë ose me qira, për mallra ose udhëtarë, paraqitet pranë organit të transportit të licencimit. Me udhëzim Ministria e Transportit cakton të dhënat e nevojshme që duhen për regjistrimin e një ndërmarrje nga organi i transportit në përputhje me ligjin “Për transportet rrugore”. Nëse organi i transportit nuk ka marrë vendim në afatin e caktuar, kërkesa konsiderohet e pranuar. Ndërmarrjes i hiqet licenca nga organet e transportit në rastin e shkeljeve të përsëritura dhe fshehjeve të qëllimshme të shkeljeve të legjislacionit të transportit.
21 Mars 2008