E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historitë tragjike të Gërdecit në “TKAM ZEMËR”

Një seri historish … tragjike por edhe te dhimbshme të 15 marsit, kur një shpërthim i fuqishëm do të ndryshonte jetën e shumë njerëzve në fshatin Gërdec dhe rrethinat e tij, vetëm 20 kilometra larg Tiranës, kanë qenë në fokus të emisionit “Tkam zemër”, një program me një format të ri televiziv dhe që di të përcjellë dimensionin njerëzor. Duke i qëndruar korrekt, rrjedhës së ngjarjes, por edhe si ne një film artistik… programi i transmetuar të enjten në mbrëmje ne valët e televizionit Publik Shqiptar trajtohen ndryshe nga deri tani ngjarjen e pazakontë duke sjellë në ekran jetën e disa personazheve që pavarësisht njëri-tjetrit kishin nisur ditën si zakonisht por për tu bashkuar në orën e tmerrit… Një shofer autobusi, që diti të shpëtojë me guximin e tij jetën e pasagjerëve të tij ne momentin e shpërthimit por edhe dëshmitë e dy pasagjereve të ndodhura në autobus, teksa kërpudha e tymit dhe flakës ishte shfaqur para syve të tyre, rrëfimi i tre motrave, banore të fshatit Gërdec, se si kishin arritur të mbijetonin, rrëfimi i Ahmetit, rojës së fabrikës së vdekjes, por edhe dhimbja e djalit të tij Shkëlqimit për humbjen e së fejuarës së tij e cila rezulton e zhdukur … trajtuar me shumë kujdes nga prezantuesja dhe producentja e këtij emisioni Rudina Magjistari … nuk do të kalonin pa emocion nga të pranishmit në sallë por edhe nga disa mijëra teleshikues të cilët prej disa javësh po ndjekin gjithnjë e më me interes këtë format televiziv origjinal, i cili nisi të transmetohet në valët e Televizionit publik Shqiptar më 29 janar të këtij viti. Por po aq me interes është mirëpritur mbrëmë edhe historia e Xhavid Prinit, shoferi i cili së bashku me kushëririn e tij arritën të shpëtojnë në fshatin Palaq, pesë kilometra larg Gërdecit jetën e mbi 100 banorëve të fshatit të vdekjes. Të ftuar janë edhe pilotë që kanë transportuar të lënduarit e një ditë tmerri, shoferi i një autoambulance që ju ka dhënë ndihmën e parë…, një mjeke që tregon solidarizimin e shumë njerëzve për të dhuruar gjak…, këshillat e një psikologeje, ishin pjesë e programit “Tkam zemër”, vendosur si në një mozaik, me shumë kujdes nga dy producentët e programit Rudina Magjistari dhe Julian Napoloni. Në fakt, i gjithi ky është një mision i autorëve të këtij programi…, që në mënyrë fine kanë arritur të japin prej tetë javësh një mori problemesh sociale që ngërthejnë Shqipërinë sot, por këtë herë në mënyrën më njerëzore të mundshme…
Por, duke ndjekur emisionin “Tkam zemër” gjithkush kupton se Shqipëria, nuk ka vetëm dhimbje…, por ka edhe shumë forcë tek vetë njerëzit… Personazhet e këtij programi janë heronj të heshtur që dinë ti mbijetojnë dhimbjes apo edhe fatit që nuk ka qenë me ta. Një grua e dhunuar, por edhe një grua e paralizuar (Teuta), por që ka forcë të jetojë jetën, Dila e cila nga kuzhiniere arriti të ketë një shkollë kompjuterash në Rrëshen ku të mësojë kompjuter, Gëzimi, që pavarësisht sëmundjes së tij (shurdh-memec) ka vullnet dhe forca për të punuar… Këta dhe shumë të tjerë janë vetëm disa nga personazhet e “Tkam zemër”, një program televiziv…, që përcjell dimensionin human apo edhe ndjesinë e komunitetit që aq shumë mungon në Shqipërinë tonë… Por i paparashikuar ka qene rasti që është trajtuar në “Tkam zemër”, për pesë jetimët e Levanit… Janë disa qindra mesazhe nga e gjithë bota, Amerika, Zvicra, Gjermania, Austria, që me shumë dëshirë mbështesnin financiarisht fëmijët që ju mungon dashuria e prindërore. Solidariteti i shqiptarëve doli aq hapur përmes dhimbjes së evidentuar në mënyrë njerëzore nga stafi që punon për këtë emision… Larg fjalëve të kota dhe bumit mediatik që vihet re në shumë raste në ekranet tona, regjisori Julian Napoloni sikundër edhe në programe të tjera di të ndërtojë histori dhe ti servirë ato në shërbim të misionit që ka televizioni…
Të qenët në shërbim të njerëzve, tu kthesh atyre një buzëqeshje të harruar, tu japësh një shpresë në brengën ku ndodhen pa dëshirën e tyre, tu kthesh besimin se jeta mund të jetë edhe ndryshme…, ndoshta ky duhet të kishte qenë prej kohësh misioni i një programi televiziv dhe që arriti ta sjellë në mënyrë harmonike dhe origjinale ky format i ri televiziv, i cili brenda një kohe të shkurtët arriti të ketë një audiencë maksimale për vetë dimensionin human që ai arrin të përcjellë tek teleshikuesi.

21 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›