Trebicka: “Si u nxor nga loja kompania amerikane dhe u kontraktuan qipriotët”
Paralajmërimi që i ka bërë Shkëlzenit, djalit të kryeministrit. Biznesmeni në News 24 ka deklaruar se është gati të dëshmojë në Prokurori
Në një intervistë ekskluzive me Kosta Trebickën, biznesmen dhe përfaqësues në kompaninë amerikane që ishte caktuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për të blere armë në Shqipëri, zbulohen fakte të reja rreth biznesit të armëve dhe aktorëve që luanin këtë biznes. Trebicka sqaroi se si u kontraktua kompania qipriote dhe si i nxor nga loja kompania amerikane. Në intervistën për New 24, Trebicka akuzoi ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe drejtorin e MEICO-s, Ylli Pinari, se dëbuan kompaninë amerikane për të sjellë një kompani qipriote që përfaqësohej nga Mihal Delijorgji. Në këtë intervistë, Trebicka rrëfen paralajmërimin që i ka bërë Shkëlzen Berishës, djalit të kryeministrit. Po kështu, Trebicka në intervistën në News 24 ka deklaruar se është i gatshëm të dëshmojë në prokurori nëse do të thirret.
A është e vërtetë që ju në vitin 2007 keni kontaktuar me zotin Efrain Diveroli, presidenti i firmës AEF, për të marrë pjesë në një kontratë për shitjen e municioneve në Afganistan? Na tregoni saktë si shkuan punët?
Jo nuk është e vërtetë që unë kontaktova Diverolin, por më merr në telefon një përfaqësues i firmës amerikane AEY në fillim të prillit 2007 dhe më thotë që, zoti Trebicka, ju kemi zgjedhur ju si nënkontraktor për të paketuar materiale, të cilët do të dërgohen në Afganistan për interes të fuqive aleate të NATO-s.
Rezulton që shoqëria amerikane e Diverolit negocioi kontratën e drejtpërdrejtë me MEICO-n në Tiranë, apo me ndonjë shoqëri tjetër?
Kompania e Diverolit, me sa di unë, është një kompani që është absider jo se si mund të them unë, një kompani B e BETA, kompani që është një ndër kompanitë më të mëdha të municioneve në Amerikë dhe që kishte fituar një tender prej 300 milionë dollarësh për të furnizuar ushtrinë e Afganistanit ose më mirë të themi fuqitë aleate në Afganistan me materiale, të cilat ishin të Traktatit të Varshavës, domethënë nuk ishin municione të NATO-s, sepse vetëm këto mund të përdoreshin nga ushtria afgane, e cila ishte e kryeministrit Karzai.
Zoti Trebicka, si i dini këto gjera që pohoni, a keni prova për t’i vërtetuar?
Natyrshëm unë kam të gjitha provat, sepse kam të gjitha dokumentet origjinale. Këtë gjë mund ta gjeni edhe në internet në faqen e kompanisë amerikane. BETA kompani ka fituar tenderin prej 300 milionë dollarësh dhe ia ka dhënë kompanisë AEY që ajo të jetë nënkontraktore për të kontraktuar me ndonjë nga vendet e Lindjes për të blerë municionet dhe për t’i çuar në Afganistan.
A jeni të gatshëm të dëshmoni në Prokurorinë e Tiranës nëse ju thërrasin?
Pa diskutim, në çdo moment!
Çfarë mund të na thoni tjetër për tregtinë e armëve në Shqipëri, kush e kontrollon dhe si bëhet ajo?
Unë nuk mund të them sepse s’kam qenë asnjëherë i përzier në këtë lloj tregtie. Unë di që u thërrita nga kompania amerikane, u përzgjodha nga ata në baze të të gjithë dokumentacionit që unë kërkova, pasi u përzgjodha nga ata. Ky dokumentacion përfshinte në radhë të parë prokurën e përfaqësimit, domethënë, që unë ta përfaqësoja kompaninë me marrëdhënie me MEICO-n. Dhe për herë të parë unë takova zotin Pinari diku nga fillimi i vitit ‘97 duke i vajtur me prokurë në dorë dhe me kontratën që kisha me kompaninë AEY, për të paketuar municionet të cilët ishin fishekë kallashnikovi për t’i çuar në Afganistan.
T'i kthehemi bisedës së transkriptuar. Cili është mesazhi që ju përcillni? Cila është fjala e fundit juaja për të, pra bisedën që keni bërë me zotin Diveroli?
Zoti Pinari më paraqiti një kontratë ku unë duhet të firmosja për të dyja kompanitë për “AEY inc” dhe “EDVIN”. Unë nuk mund të firmosja për kompaninë qipriote për të cilën unë nuk e kisha kontaktuar dhe nuk më kishte dhënë as “EDVIN” dhe unë firmosa vetëm në emër të AEY-së. Që nga ai moment, unë paraqita të gjithë dokumentacionin përkatës në lidhje me fuqinë punëtore, pra paraqita të gjitha certifikatat e lindjes të punonjësve, të cilët do të hynin me leje të posaçme në Aeroportin e Rinasit, pra flasim gjithmonë për sektorin ushtarak, dhe kërkova që brenda 1 ose 2 ditëve të pajisja me leje të gjithë punonjësit e mi, të cilët përbënin një kapacitet prej 40-50 veta. Në momentin që unë me Pinarin po diskutonim për “EDVIN”, Pinari më paraqiti mua një dokument ku “EDVIN” i blinte “MEICO-s” një sasi municionesh prej 100 milionë fishekësh kallashnikovi me një vlerë prej 22 dollarësh për 1000 copë, ndërsa momenti tjetër i shitjes nga “EDVIN” tek “AEY”-ja, unë nuk dija absolutisht asnjë lloj detaji. Mbas një jave, pasi trajtova punonjësit e mi duke kërkuar dhe ndihmën e zotit Pinari, i cili duhet të më pajiste me 2 ose 3 specialistë për të kualifikuar punonjësit e mi si dhe me ndihmën e përfaqësuesit amerikan të AEY-se, i cili qëndronte në Shqipëri gjatë asaj kohe, ne trajnuam punonjësit dhe filluam punën.
Në momentin që filluam punën pas një periudhe 3 ose 4-ditore, zoti Pinari filloi të na pengonte me furnizimin me materialet përkatëse, të cilët ne duhet t’i ripaketonim brenda një periudhe 3-mujore, sepse kjo ishte kontrata, brenda 3 muajve ne duhet të çonim afër 100 milionë fishekë në Afganistan. Atëherë unë vihem në kontakt me presidentin, të cilin unë nuk e njihja personalisht. Ishte zoti Diveroli dhe në bisedë e sipër i tregoj zotit Diveroli për elementin e kontratës ndërmjet MEICO-s dhe EDVIN, e cila përmbante elementin e çmimit prej 22 dollarësh për 1000 copë. Në këto momente zoti Diveroli u agravua jashtëzakonisht dhe më tregon që faktikisht EDVIN po ia shiste kompanisë AEY me dyfishin. E merrte materialin, faktikisht ai nuk e prekte me dorë, por kishte një kontratë për blerje me 22 dollarë dhe kishte një kontratë për shitje me 40 dollarë tek AEY kompani.
Kjo e detyroi zotin Diveroli që të më kërkonte mua ndihmë të bija në kontakt me zotin Pinari ose me zotin Mediu për të sqaruar situatën e krijuar sepse po krijoheshin shumë pengesa në sektorin e furnizimit me armë. Atëherë unë kontaktova zotin Pinari dhe e pyeta se si është problemi që zoti Diveroli është tepër i pakënaqur nga mënyra se si ju i zhvilloni transaksionet.
Përgjigjja e zotit Pinari ishte se, “ti nuk duhet të ngatërrohesh me këto gjëra sepse janë forcë madhore”. Atëherë unë duke dyshuar te ndërgjegjja e zotit Pinari, natyrshëm, dhe pastërtia e tij, kërkova që të takohem me zotin Fatmir Mediu. Takoj zotin Mediu dhe ia shpjegoj të gjithë situatën. I them që jam një përfaqësues i një kompanie dhe i jap të gjitha letrat dhe i kërkoj që të sqarohet situata përsa i përket furnizimit me municione të ushtrive aleate në Afganistan.
Dhe çfarë ju tha zoti Mediu?
Zoti Mediu u tregua shumë indiferent, mospërfillës, shumë përbuzës dhe më thotë që kjo është një çështje civile dhe nuk varet nga ai, varet direkt nga MEICO dhe sipas tij MEICO ka autorizim të pakufizuar dhe mund të veprojë si të dojë. Unë mbeta i shtangur. Atëherë në moment unë lajmëroj Ambasadën Amerikane dhe sektorët përkatës të kësaj ambasade dhe i vë në dijeni për gjithçka dhe gjithashtu vë në dijeni dhe Presidentin e Kompanisë AEY, zotin Diveroli.
Dhe si vazhduat më tej?
Mbas 2-3 orësh vë në dijeni edhe zotin Pinari. I thashë zotit Pinari që unë kisha takuar ministrin. Përgjigjja e zotit Pinari ishte e prerë dhe agresive dhe më tha: “Që sot e tutje, unë nuk do të të furnizoj më pa një urdhër të dytë nga ministri”.
Pas përgjigjes së zotit Pinari, unë u habita me thënë të drejtën, sepse këtu diskutohej furnizimi me materiale ushtarake i një fuqie aleate siç është NATO në Afganistan dhe momentet ishin tepër deçizive. Atëherë zoti Pinari e ndërpreu kontratën dhe nuk na furnizonte më me municione për t'i ripaketuar në Aeroportin e Rinasit.
Pra, kur u ndërpre kontrata?
Kontrata është ndërprerë diku rreth datës 10-15 maj. Nuk e mbaj mend me ekzaktësi, por faktikisht ai nuk e ndërpreu kontratën ligjërisht, ai nuk furnizonte, më ndaloi së furnizuari.
Mbas kësaj periudhe mesa kam marrë vesh zoti Pinari kërkoi që Efraim Diveroli, pronari i AEY-së, të vinte urgjentisht në Shqipëri dhe të krijonte një takim me zotin Pinari dhe me shefat e zotit Pinari për të diskutuar për një kontratë direkte ndërmjet MEICO-s dhe AEY-së. Më lajmëron zoti Diveroli për bisedën në fjalë dhe unë i them: Nisu pa problem. Më duket se Diveroli vjen në Tiranë nga data 17 në mos jam gabim diku e keni tek hotel “Sheratoni” të regjistruar emrin e tij aty nga data 17 ose 20, nuk jam i sigurt. Në aeroport pritet sipas udhëzimeve të zotit Pinari dhe vetëm sipas udhëzimeve të tij, që unë të mos vija në aeroport dhe të mos takohesha me zotin Diveroli.
Diveroli më lajmëron për të gjithë këta elemente dhe unë pranoj të mos vij në aeroport dhe të mos takohem me zotin Diveroli. Zoti Pinari e merr zotin Diveroli nga aeroporti bashkë me zotin Aleks, i cili ishte përfaqësues amerikan i AEY-së në Shqipëri dhe njëkohësisht punonjës i forcave aleate të NATO-s. Ai ka qenë i instruktuar pasi u mësonte forcave aleate të NATO-s gjuhën frënge dhe disa gjuhë të tjera, sepse ishte tepër i kualifikuar në mësimdhënien e gjuhëve të ndryshme dhe të tre së bashku me zotin Pinari pasi vijnë në hotelin “Sheraton” largohen dhe shkojnë në një rrugë që është një rrugë që kalon midis Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Drejtësisë. Është një shkollë 8-vjeçare aty, nuk e di se si e ka emrin kjo rrugë dhe aty shkojnë në një apartament ku zotit Diveroli dhe zotit Aleks i paraqitet zoti Delijorgji dhe një person tjetër në moshën 27 - 30-vjeçare. Mirëpo ishin shefat e zotit Pinari dhe kërkohet të firmoset një kontratë me zotin Pinari domethënë me MEICO-n dhe nga tani e tutje të gjitha materialet do të shiteshin për një çmim prej 26 dollarësh për 1000 copë ndërsa çmimi tjetër prej 14 dollarësh do t’i paguhej kompanisë së Delijorgjit në mënyrë që të plotësohej totali i 40 dollarëve, të cilët zoti Pinari dhe zoti Fatmir Mediu po ia merrnin ndërmjet “EDVIN” po ia merrnin “AEY”-së.
Zoti Trebicka kush është 27-vjeçari për të cilin bëhet fjalë?
Nuk e di. Pikërisht mbas kësaj, kur zoti Diveroli dhe zoti Aleks ishin në zyrat e zotit Delijorgji, atëhere zoti Aleks e njihte Delijorgjin, nuk e lejon zotin Diveroli që të firmosë një kontratë të tillë mafioze dhe nga arsyetimet që do të vinin një ditë sepse natyrshëm u frikësuam.
21 Mars 2008