E Hënë, 2 Nëntor 2026

Siguria, ndërpritet përpunimi i anijeve me naftë dhe gaz në portet tona

Arsyet e sigurisë kombëtare, të cilat kanë lidhje me rrezikimin e popullsisë civile, e kanë detyruar qeverinë që të marrë vendime ekstreme që kanë lidhje me ekonominë. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka marrë vendimin për të zbatuar në afat VKM-në “Për ndërprerjen e aktivitetit të përpunimit të anijeve që transportojnë naftë, gaz dhe nënprodukte të tyre në Portin e Durrësit dhe të Shëngjinit”. METE është e vendosur për “të marrë masa për moslejimin e kryerjes se aktiviteteve të import-eksportit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre në porte, duke krijuar kushtet për parandalimin dhe shmangien e aksidenteve të rrezikshme në ato objekte, të cilat do të rezultojnë jo në përputhje me të gjitha kërkesat e kuadrit ligjor dhe teknik, që aktualisht është në fuqi”. Sipas burimeve zyrtare të METE-s, aktualisht po punohet për zbatim e VKM-së nr.486, datë 25.07.2007, i cili parashikon që, brenda 18 muajve, të ndërpritet aktiviteti i importimit, transportimit dhe depozitimit në rrugë detare me anije cisternë të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre në Portin e Durrësit, në një zonë të përcaktuar të tij, dhe që përfshin Terminalin e Naftës, si linja e shkarkimit të naftës nga anijet dhe depozitat, si dhe në Portin e Shëngjinit. Vendimi i Këshillit të Ministrave ka marrë në konsideratë dhe detyrat që dalin nga zbatimi i Masterplanit të hartuar në periudhën 1995-2000, me financim të Bankës Botërore për Portin e Durrësit, i cili parashikon zgjerimin e aktivitetit për përpunimin e trageteve të pasagjerëve dhe të anijeve të mallrave, në të cilën përfshihet edhe zona ku aktualisht janë depozitat për nënproduktet e naftës. Për aktivitetin e përpunimit të anijeve dhe të depozitimit të nënprodukteve të naftës, në zonën e Porto-Romanos në Durrës po përfundon Pontili detar, për përpunimin e anijeve që transportojnë nënprodukte të naftës, si dhe po procedohet me ngritjen e instalimeve komplekse për këto depozita bregdetare për hidrokarburet. Gjithçka, përfshirë dhe sipërfaqet e miratuara me Vendimin e KRRTRSH-së nr. 21, datë 19.10.2001, i referohet studimit përkatës të miratuar me VKM nr. 251, datë 20.04.2001. Depozita bregdetare janë miratuar për t'u ndërtuar edhe në Zonën e ish-Uzinës së Sodë PVC-së në Gjirin e Vlorës. Në këtë kuadër, nga ana e strukturave të METE-s ka patur një trajtim të vazhdueshëm dhe institucional të këtij problemi me shoqëritë, që kanë depozita në (apo në afërsi) të Portit të Durrësit dhe të Shëngjinit. Këtyre shoqërive u janë bërë të njohura zyrtarisht hapat institucionalë që janë hedhur si dhe mundësitë teknike që janë krijuar në përputhje dhe në zbatim të këtyre politikave për t’i zhvendosur këto aktivitete në zonën e Porto-Romanos, Durrës, si dhe në zonën e ish-Uzinës së Sodës PVC në Gjirin e Vlorës.

21 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›