E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeprokurori britanik: Shqetësim për institucionet e pavarura

 Gjatë një konference për shtyp në zyrën e BE-së në Tiranë, ai shprehu shqetësimin për sulmet politike ndaj institucioneve të pavarura.

“Si drejtues i një organi të pavarur, unë jam i shqetësuar nga sulmet personale dhe publike mbi integritetin e institucioneve të pavarura dhe të individëve në to. Këto sulme cenojnë, jo vetëm individët e targetuar por elementët demokratikë të sistemit. Nëse ka shqetësime reale, apo prova të shkeljeve, atëherë ato pretendime duhen ndjekur nëpërmjet kanaleve të duhura dhe jo të thuhen kot, apo të përdoren për të ushtruar presion mbi individët”, deklaroi ai.

Më tej, Starmer tha se reforma në drejtësi dhe në shtetin e së drejtës, do të ndihmojë për integrimin në BE, por edhe për efikasitetin e këtyre institucioneve. “Siç e dini të gjithë, sistemi efektiv i drejtësisë që përmbush standardet ndërkombëtare është një para-kusht për anëtarësimin në BE. Megjithatë ajo që ka më shumë rëndësi, drejtësia e paanshme dhe shteti i së drejtës janë të drejta themelore, të cilat duhet t’i gëzojnë njësoj të gjithë shtetasit. Janë baza e një shoqërie më demokratike, të begatë dhe gjithë-përfshirëse”, vijoi.

Kryeprokurori britanik tha se Mbretëria e Bashkuar ofron mbështetjen për organet e hetimit në Shqipëri. “Mbretëria e Bashkuar është e angazhuar për të punuar me organet e zbatimit të ligjit të Shqipërisë për të luftuar krimin që cenon të dyja vendet dhe për të forcuar shtetin e së drejtës dhe sistemin gjyqësor në Shqipëri. Nëpërmjet Ambasadës tonë në Tiranë, departamentet dhe agjencitë e Mbretërisë së Bashkuar punojnë aktualisht me një sërë aktorësh në fushën e zbatimit të ligjit, me projekte asistence, raste studimore, projekte binjakëzimi dhe kështu me radhë. Puna jonë me Prokuroren e Përgjithshme dhe zyrën e saj është një shtyllë qendrore e këtij bashkëpunimi”, theksoi ai. /Start/

                                                                                             2012-01-31 13:03
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›