Kryeprokurori i Hagës, në Beograd
Kryeprokurori i Tribunalit të Hagës, Serzh Bramerc, nisi sot një vizitë dyditëshe në Beograd, ku do të takohet me zyrtarë të lartë serbë, me të cilët do të bisedojë kryesisht për çështje lidhur me bashkëpunimin e Serbisë me Gjykatën e Hagës dhe përpjekjet që po bëhen në këtë vend për arrestimin e kryekriminelëve të kërkuar të luftës, Ratko Mlladiç dhe Goran Haxhiç. Sipas zëdhënëses së Prokurorisë së Përgjithshme, Olga Kavran, së cilës i referohet media serbe, Bramerc po zhvillon bisedime me përfaqësues dhe autoritete zyrtare të larta serbe për bashkëpunimin se Serbisë me Tribunalin. Në rendin e ditës të vizitës së Kryeprokurorit të Hagës në Serbi janë takime me Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, me përfaqësues të Këshillit Kombëtar dhe të ekipit veprues për përcaktimin e vendndodhjes dhe kapjen e Mlladiçit e të Haxhiçit. Para Beogradit, Serzh Bramerci vizitoi javën e kaluar Bosnjën e Hercegovinës, ndërsa ka ndërmarrë një turne në rajonin e Ballkanit.