E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Zbarkon" Milani, Shqipëria në festë

Pasi humbën shansin për të rihapur luftën për titull në Serinë A, Milani zbret në Tiranë. Kuqezinjtë e drejtuar nga Karlo Ançeloti do të zbresin sot në orën 19:00 në stadiumin "Qemal Stafa", për të luajtur miqësoren kundër Kombëtares "B" të Shqipërisë, të vlefshme për trofeun "Taçi Oil Albania Read". Kjo është hera e dytë që skuadra, e cila ka fituar më shumë tituj në botë, vjen në kryeqytetin tonë brenda këtij sezoni: në fakt, më 14 tetor 2008, ata u përballën në miqësore me Tiranën. Ndeshja u fitua nga bardheblutë me rezultatin 2-1. Tashmë, kur kanë kaluar shtatë muajve, sportdashësit shqiptarë kanë shansin të shohin një duel me specifikë tërësisht të ndryshëm. Milani vjen me më shumë yje: përveç Ronaldinjos, Maldinit, Sedorf, Inzagit e Shevçenkos, në stadiumin më të madh në vend do të zbresin edhe Kaka, Pato, Bekham, Pirlo, Gatuzo, Zambrota e Flamini. Të gjithë yjet e sipërpërmendur janë pjesë e kontingjentit me 21 futbollistë të zyrtarizuar nga Milani vetëm pak orë përpara ndeshjes.

Itinerari

Me tre fitues të "Topit të Artë" në kontingjent (Kaka, Ronaldinjo dhe Shevçenko) dhe katër fitues të Kupës së Botës 2006 (Zambrota, Pirlo, Gatuzo e Inzagi), Milani do të niset nga Malpensa në orën 10:00 dhe mbërrin në tokën shqiptare në orën 11:45. Pas zbarkimit në aeroportin "Nënë Tereza", skuadra kuqezi do të udhëtojë drejt hotel "Sheraton". Ashtu ai edhe gjatë vizitës së kaluar është përcaktuar një konferencë për shtyp. Në orën 16:30 Kaka e Bekham do t‘u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve përkrah zv/presidentit Adriano Galiani dhe trajnerit Karlo Ançeloti. Një detaj interesant për ndeshjen me skuadrën e drejtuar nga Artan Bushati, e cila transmetohet direkt në "SuperSport" në orën 19:00, është se Milani do të luajë me fanellat e para, pra me ngjyrat kuqezi, ndërsa Shqipëria do të zbresë në fushë me fanellën e bardhë me shirita të kuq. Pas miqësores italianët do të kthehen në Milano, ndërkohë që në Tiranë festa nuk mbyllet me kaq. Në një mbrëmje gala, fanellat me autografet e lojtarëve më të mirë të shtatë herë kampionëve të Evropës, do të dalin në ankand.

Policia

Mbërritja e Milanit ka bërë që një pjesë e kryeqytetit të "blindohet". Policia ka publikuar masat organizative për mbarëvajtjen e sfidës së luksit. Sheshet "Italia" dhe "Nënë Tereza" do t‘i nënshtrohen kufizimit të qarkullimit, duke filluar nga ora 14:00 deri më 21:00. Masa të forta sigurie do të merren gjatë hyrjes së tifozëve në stadium: forcat blu kanë planifikuar kontrolle të imtësishme, për të mos lejuar futjen në stadium të sendeve të forta, fishekzjarrëve, flamujve me shkopinj apo edhe parullave me shkrime të papërshtatshme.

Axhenda e Milanit

Ora 10:00 - Nisja e skuadrës nga aeroporti i Malpensas

Ora 11:45 - Mbërritja në aeroportin "Nënë Tereza" në Tiranë

Ora 13:00 - Dreka zyrtare në hotel "Sheraton" dhe pushimi

Ora 16:30 - Konferenca për shtyp, Kaka, Bekham, Galiani dhe Ançeloti shfaqen përpara mediave

Ora 17:45 - Paraqitja në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa"

Ora 19:00 - Miqësorja ndërmjet Kombëtares "B" të Shqipërisë dhe Milanit

Ora 22:30 - Nisja drejt Milanos

Ora 00:20 - Mbërritja në aeroportin e Malpensas



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›