E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeprokurorja: “Hetime për ish-ministrin e Mbrojtjes”



TIRANË - Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, konfirmoi dje se organi i Akuzës do të vazhdojë hetimin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për ngjarjen e 15 marsit në Gërdec. Në një prononcim për mediat në mjediset e hotel “Tirana International”, kryeprokurorja Rama tha se “organi i Akuzës do të kryejë hetime edhe ndaj zotit Mediu”. Një ditë më parë, Kuvendi, me shumicë votash, vendosi dhënien e autorizimit Prokurorisë së Përgjithshme për hetimin e ish- ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për ngjarjen e Gërdecit, por ajo nuk ka pranuar të komentojë hetimet për ish-shefin e Shtabit, Luan Hoxha.

Çela, Stojani dhe Kulluri, 3 anëtarët e rinj të Këshillit të Prokurorisë

TIRANË – Tri anëtarë të rinj të Këshillit të Prokurorisë u zgjodhën në një mbledhje të prokurorëve pas përzgjedhjes ndër 12 kandidatura të propozuar. Olsian Çela, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Sokol Stojani, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme dhe Përparim Kulluri, prokuror i Rrethit Gjyqësor Shkodër janë tre anëtarët e rinj të zgjedhur dje. Emrat e tre anëtarëve të rinj të Këshillit të Prokurorisë i shtohen prokurorëve, të cilët ishin dhe mbeten pjesë e këtij këshilli deri në përfundimin e mandatit 3-vjeçar, Arqilea Koca, Adnan Kosova dhe Artan Madani.

Pronat, Gjykata pezullon procesin e Leka Zogut me Bashkinë
Tiranë - Gjykata e Tiranës vendosi të pezullojë dje procesin civil mes mbretit Leka Zogu dhe Bashkisë së Tiranës. Burime pranë kësaj gjykate pohuan se në këtë përfundim u arrit pasi do të pritet të jepet më parë vendimi nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Procesi civil ka vazhduar prej disa muajsh në Gjykatën e Tiranës. Shkak është bërë pretendimi i familjes mbretërore për një lulishte në kryeqytet. Pretendimi i tyre kundërshtohet nga Bashkia e Tiranës. Mirëpo vendimi i djeshëm nuk ka ndryshuar asgjë dhe për këtë shkak familjes mbretërore i duhet të presë vendimin e AKKP-së.

Pranga të miturve, dyshohen për disa vjedhje në kryeqytet

Tiranë - Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, kanë realizuar dje kapjen e tre të miturve, pasi dyshohet të jenë autorë të disa vjedhjeve në kryeqytet. T. T., K. B. dhe J. A., që i përkasin moshës 13 – vjeçare. Në ngarkim të tyre është arritur dokumentimi i disa vjedhjeve të ndodhura në Tiranë, ku shtetasit në bashkëpunim me njëri - tjetrin në kohë e vende të ndryshme kanë realizuar. Dyshohet se më datë 26 maj 2008, në rrugën “Mine Peza?” ata kanë realizuar vjedhjen e dyqanin të pastrimit kimik “Alfa” dhe bar “Interbast”. Ndërsa, në Rrugën e Durrësit, dyshohet se ata kanë vjedhur Agjencinë Ajrore “Helmus Air”.

Sekuestrohet “Tuarek”-u, rezultonte i vjedhur jashtë Shqipërisë

Tiranë – Policia bllokon makinën e luksit që rezultoi e vjedhur jashtë Shqipërisë. Burime policore thanë për gazetën se specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve, kanë realizuar bllokimin dhe sekuestrimin e automjetit tip “Tuarek”, me targw TR. 5785 K, pasi nga verifikimet e bëra rezulton i vjedhur. Automjeti u bllokua në Bulevardin “Bajram Curri”, dhe është në pronësi të shtetases Iliriana Belegut, ndaj të cilës materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të “Trafikimit të mjeteve motorike”, parashikuar nga neni 141/a i Kodit Penal.

Prokuroria, ndjekje penale për një tjetër pensionist të rremë

Tiranë – Prokuroria do të ndjekë penalisht një tjetër person që akuzohet se ka përfituar pension të pamerituar. Specialistët e Seksionit Kundër Pastrimit të Parave dërguan materialet në Prokurorinë e Tiranës në ngarkim të shtetasit Skënder Kasem Shkoza, 51 vjeç, banues në Tiranë. Ndaj këtij të fundit është depozituar një kallëzim penal nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore, se shtetasi i lartpërmendur ka përfituar pension në mënyrë të pa ligjshme duke mashtruar për vitet e punës me ana të dokumentacionit të falsifikuar. 51-vjeçari akuzohet për veprën penale të “Mashtrimit”, parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal.

18 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›