E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduket në Belgjikë, kërkohet edhe në Shqipëri

Albana Margjeka, 30 vjeçe, rezulton e humbur prej gjashtë muajsh. Policia belge u kërkon ndihmë homologëve shqiptarë për hetime

Luan Kondi

Tiranë – Policia belge u kërkon ndihmë homologëve të saj në Tiranë për gjetjen e një 30-vjeçareje me shtetësi belge dhe kombësi shqiptare, e zhdukur gjashtë muaj më parë. Në një shkresë që ka mbërritur nga Brukseli në zyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, thuhet se prej gjashtë muajsh Albana Margjeka rezulton e zhdukur dhe një nga pistat e mundshme është ajo se mund të ketë ardhur në Shqipëri. Edhe pse nuk thuhen arsyet e një largimi të mundshëm, pasi asgjë nuk është vërtetuar, përsëri një nga pistat ku mendohet të hetohet ngjarja është dyshimi se shqiptarja mund të jetë riatdhesuar vetw.
Ngjarja
Sipas raportit të Interpol Brukselit, më 15 janar, rreth orës 14:00, Albana Margjeka, 30 vjeçe, la banesën e saj në HAM-SUR-HEURE-NALINNES, rruga “Bois Rombut”, në Belgjikë dhe askush nuk di të japë ndonjë të dhënë për të. Duke iu referuar të dhënave paraprake pas kësaj date nuk ka më asnjë gjurmë të saj. Është kërkuar thuajse në të gjithë shtetin belg, por deri tani nuk është gjetur thuajse asnjë shenjë jete e saj. Për këtë arsye Policia Federale e Mbretërisë së Belgjikës ka kërkuar ndihmën e Policisë së Shtetit për të gjetur këtë shtetase. Gjithçka deri tani mbetet enigmë dhe hetuesit belgë janë në kërkim të një shenje jete për të, sepse nga pyetjet e dëshmitarëve nuk është gjetur asnjë provë që të vërtetojë një vdekje, apo dhe një rrëmbim të mundshëm të saj. Pas kërkimit gjashtëmujor autoritetet e policisë së Belgjikës e kanë parë të arsyeshme nisjen e një kërkese zyrtare drejt Policisë së Shtetit Shqiptar.
Identiteti
Sipas të dhënave të policisë belge, Albana Margjeka është rreth 1 m e 65 centimetra e gjatë, ka trup të imët dhe flokët të zinj, të prerë shkurt. Në momentin e zhdukjes ajo ishte veshur dukshëm me veshje sportive të zezë, gjë që sipas policisë mendohet se nuk ka paramendim në largimin e saj, por mendohet se ka një ikje të detyruar. Po sipas të dhënave të Interpol Brukselit, duke parë kombësinë e 30-vjeçares, pista kryesore mbetet një largim i mundshëm për në shtetin amë. Margjeka është parë të lëvizë me mjetin e saj tip Voksvagen Golf ngjyrë blu-jeshil me targë XQM 558. Nisur nga këto të dhëna Policia Shqiptare kërkon informacion për vendndodhjen e saj. Sipas policisë nëse dikush mund të ketë një të dhënë mund të drejtohet në shërbimet e Policisë së Shtetit ose të telefonojë në numrin pa pagesë 129.

18 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›