Gjykata u jep kohë anglezëve të gjejnë avokatë
Tiranë - Gjykata e Tiranës iu ka dhënë kohë për të gjetur avokat dy shtetasve anglezë, Dino Christodolou dhe Robin James Arnold. Të arrestuarit që u përballën dje për herë të parë me trupin gjykues akuzohen për veprat penale të “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, të parashikuara nga neni 100 i Kodit Penal. Ekstradimi i tyre u bë i mundur vetëm pak ditë më parë nga Interpoli. Dëshmitë e dy të akuzuarve si bashkëpunëtorë të Braunit, priten me interes nga Gjykata e Faktit e Tiranës, ku ka nisur të zhvillohet procesi penal në ngarkim të “babait” të fondacionit “Fëmijët e Tij”. Braun u arrestua më 16 maj të vitit 2006, pas një kallëzimi penal të depozituar në Prokurorinë e kryeqytetit nga holandezja Jacoba Dikken. Sipas akt-akuzës, Braun ka ardhur për herë të parë në Shqipëri në vitin 1999 dhe dy vjet më vonë do të krijonte fondacionin “Fëmijët e tij”, për t’iu ardhur në ndihmë të fëmijëve romë. Më pas, kur në fondacion jetonin disa fëmijë, Braun njihet me greko-anglezin Christodoulou dhe skocezin Arnold, të cilët kanë sponsorizuar shuma të ndryshme të hollash për këtë shoqatë. Pas kësaj, ata akuzohen se kanë filluar të abuzojnë seksualisht me fëmijë të moshës nga 3 deri në 13 vjeç.
18 Qershor 2008