E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rihidhet shorti për dosjen e Hamdi Haklajt



Tiranë - Dosja për Hamdi Haklajn do të shqyrtohet nga gjyqtari Bujar Krasniqi. Dje u rihodh shorti për këtë dosje pas refuzimit të gjyqtares, Fatmira Hajdari. Pak ditë më parë, Prokuroria e Tropojë dorëzoi për gjykim pranë Gjykatës së Tiranës, dosjen penale në ngarkim të Hamdi Haklajt. Transferimi në këtë gjykatë u bë për arsye sigurie, ashtu sikurse është vepruar me dosjet e tjera. Prokuroria e akuzon këtë herë Haklajn, për vrasjen e Halil Hoxhës në shkurt të vitit 1998, në qendër të Bajram Currit, për hakmarrje. Dosja penale është u hodh fillimisht në short dhe i ra për shqyrtim Fatmira Hajdarit. Mirëpo gjyqtarja refuzoi për shka se i ndjeri Fatmir Haklaj është ekzekutori i deputetit Azem Hajdari dhe gjyqtarja nuk mund të vendosë drejtësi për vëllain e vrasësit të burrit. Hamdi Haklaj akuzohet për një sërë akuzash të rënda. Prej gati tri vitesh, ai po gjykohet në po këtë gjykatë për vrasjen e Ramë Hoxhës dhe mbesës së tij, Fatmira Hoxha, si dhe plagosjen e gjashtë personave të tjerë më 10 qershor 2004, në Qafë-Luzhë të Tropojës. Vrasja e Halil Hoxhës në vitin 1998 është akuza e radhës që ngrihet mbi supet e djalit të vetëm të mbetur gjallë të Muharrem Haklajt. Ndërsa, po hetohet dhe për vrasje të dyfishtë në Malin e Shkëlzenit.

18 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›