Grevistët, ultimatum Berishës: “Që sot grevë me çadra para Kryeministrisë”
Tiranë - Shtatë grevistët e Gërdecit do të vendosen sot para Kryeministrisë nëse nuk do të marrin një përgjigje zyrtare nga qeveria brenda kësaj dite. Ata e paralajmëruan dje kryeministrin Sali Berisha se nëse nuk marrin deri sot një përgjigje për kërkesat për të cilat kanë hyrë që prej 12 ditësh në grevë urie, do të vendosen përpara Kryeministrisë derisa t’u plotësohen këto kërkesa. Ndërkohë, lëvizja “MJAFT!”, nga greva e urisë në Vorë u ka bërë thirrje qytetarëve të Tiranës ta mbështesin këtë grevë. “Ne jemi në grevë urie prej 12 ditësh tashmë, vetëm pak larg kryeministrit dhe ai na ka injoruar, nuk ka denjuar në asnjë moment të dëgjojë kërkesat tona, ndaj po i japim kohë edhe 24 orë të tjera. Nëse deri nesër në 13:00 nuk ka përgjigje, ne do ta vazhdojmë grevën e urisë para zyrave të tij”, - tha Andi Belliu, përfaqësues i grevistëve. Grevistët mbështeten në këtë hap të tyre nga lëvizja “MJAFT!”. Elisa Spiropali, aktiviste e kësaj lëvizjeje, tha se “grevën nuk e do askush, por mënyra e vetme që ajo të mbyllet janë vetëm negociatat me qeverinë, e cila i ka injoruar në mënyrë të shurdhët kërkesat legjitime të këtyre punëtorëve”. Sipas “MJAFT!”-it, kjo grevë nuk është vetëm për 144 ish-punëtorët e Gërdecit që kanë firmosur për kërkesat, por është një çështje që u përket të gjithë qytetarëve të Shqipërisë për t’i treguar pushtetit se dosja e Gërdecit nuk mund dhe nuk duhet të mbyllet derisa drejtësia të vihet në vend. Gjithashtu, dje lëvizja “MJAFT!” bëri publike rezultatet e monitorimit të të gjitha veprimeve të qeverisë shqiptare në operacionin e saj për rimëkëmbjen e zonës së shkatërruar nga shpërthimi i Gërdecit.
18 Qershor 2008