E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllja e marrëveshjes me FMN-në, fundi i tranzicionit

Ekonomia shqiptare, një ndër ish-ekonomitë më të centralizuara në Evropë, mbyll një kapitull të gjatë dhe të mundimshëm me përfundimin me sukses të bashkëpunimit me FMN-në. Progresi reformator i kabinetit “Berisha”, solli reforma të mëdha fiskale, duke mbyllur periudhën e tranzicionit me finalizimin e marrëveshjes trevjeçare me Fondin. Megjithatë, bashkëpunimi i Shqipërisë me FMN-në, nuk do të ndalet. FMN parashikon vazhdimin e ndihmës në drejtim të vendit tonë, nëpërmjet asistencës dhe konsultimeve.

TIRANE - Qeveria shqiptare dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nënshkruan dje letrën e mirëkuptimit për miratimin e rishikimit të 6-të dhe të fundit të marrëveshjes 3-vjeçare me FMN-në. Dokumenti u firmos nga kryeministri Sali Berisha, ministri i Financave Ridvan Bode dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, në prezencën e Përfaqësueses së Misionit të FMN-së në Shqipëri Ann Margaret Westin. Ky dokument do të miratohet nga bordi i FMN-së në Uashington në fund të janarit, kur përmbyllet programi 3-vjeçar i Shqipërisë me FMN-në.
Në këtë kuadër, kreu i ekzekutivit Sali Berisha e cilësoi firmosjen e marrëveshjes me FMN-në si fundin e tranzicionit të ekonomisë shqiptare, nga një ekonomi ndër më të centralizuarat në Evropë, duke ecur tani me institucionet e faturuara të saj drejt një ekonomie solide tregu.
“Dita e sotme, shënon fundin e tranzicionit të ekonomisë shqiptare. Sot u firmos fundi i tranzicionit të një prej ekonomive më të centralizuara në Evropë dhe në botë dhe tani ajo ecën me institucionet e maturuara të saj. Për një vend demokratik nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa një ekonomi solide tregu, pa të cilën ajo nuk mund të ekzistojë”, u shpreh Berisha.
Kryeministri theksoi se me nënshkrimin e marrëveshjes, nis një bashkëpunim i ri i qeverisë me Fondin Monetarë Ndërkombëtarë, që mbylli me sukses një program. 
Kryeministri vlerësoi bashkëpunimin e qeverisë shqiptare me këtë organizëm ndërkombëtarë, i cili, siç theksoi kryeministri, nisi punën në vendin tonë në një periudhë kolapsi total ekonomik dhe financiar, me një inflacion tre shifror, me një deficit buxhetor 49 % dhe me një rënie dramatike të ekonomisë shqiptare.  
“FMN gjatë këtyre viteve është provuar si një partner i shkëlqyer i cili ka ndihmuar qeverinë në hartimin e politikave fiskale vjetore që kanë garantuar stabilitetin makroekonomik dhe rritjen e shëndetshme të ekonomisë së vendit. Në këtë kontekst kjo është një mbyllje do të thosha krenare dhe fatlume, sepse ky program mbyllet në një kohë kur Shqipëria ka një stabilitet të shkëlqyer makroekonomik, mbyll vitin me inflacion rreth 2.2 %, me një rritje ekonomike të pakrahasueshme një rajon dhe ndër më të lartën  në Evropë dhe me një ekonomi të gjallë e dinamike”, u shpreh kreu i qeverisë.  
Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të punuar me të njëjtin seriozitet me FMN-në edhe në këtë stad të ri të bashkëpunimit.
“Unë shoh me shumë kënaqësi vazhdimin e bashkëpunimit me FMN-në, duke e garantuar se në këtë stad të ri bashkëpunimi që hyn qeveria shqiptare ne jemi të vendosur të ndjekim me seriozitetin më të madh projektimet e FMN-së. Dy ditë më parë ne miratuan buxhetin afatmesëm duke mishëruar aty të gjitha parimet e domosdoshme për garantimin e stabilitetit ekonomik, rritjes ekonomike, në një kohë kur vendet e thera po rrisin deficitet buxhetore ne po i ngushtojmë dhe jemi të vendosur ta ngushtojmë.”
Me këtë rast, kryeministri Berisha shprehu falënderimet për ndihmën shumë të çmuar të FMN-së në konsolidimin e praktikave më të mira në institucionet, duke qenë dhe një promotor në inkurajimin e qeverisë shqiptare drejt privatizimeve të mëdha.
“Dua të falënderoj zonjën Ann Margaret Westin për përfundimin e shkëlqyer të programit, të falënderoj me shumë mirënjohje të gjithë ekipin. Kanë qenë tre vite realisht të suksesshëm, tre vite debati intensiv, por edhe mirëkuptimi të madh”.
Gjatë nënshkrimit ët marrëveshjes, Ministri i Financave Ridvan Bode theksoi se progresi i arritur gjatë zbatimit të marrëveshjes së fundit 3 vjeçare me FMN-në mundësoi kalimin në këtë nivel të ri më të lartë të marrëdhënieve me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Nga ana e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, theksoi se Shqipëria mbylli me sukses këtë marrëveshje, dhe kjo sipas tij, mbetet për t’u vlerësuar, pasi jo shumë vende të tjera kanë qenë në gjendje të kenë një ecuri pozitive në programet me FMN-në.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›