E Diel, 1 Nëntor 2026

Maskat masakrojnë një familje, asnjë i arrestuar

Autori i Lajmit: red.
Rikthehen maskat. Kësaj here skena e krimit nuk është zhvilluar më në rrugë të errëta, por brenda në një shtëpi në afërsi të Durrësit. Dy persona të maskuar hyjnë në mes të natës në një familje. Pasi dhunojnë tre anëtarët e familjes, kanë marrë ç kanë mundur dhe janë larguar pa lënë asnjë gjurmë. Ndërkohë që të plagosurit ndodhen në gjendje kritike për jetën në spital, policia ka nisur hetimet për vënien në pranga të autorëve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje në Rushbull të Durrësit.
Ngjarja
Një familje është grabitur me dhunë dhe anëtarët e saj janë plagosur rëndë dhe gjenden në spitalin e Durrësit. Burime nga policia e qytetit bregdetar bënë të ditur se ngjarja e rëndë, ka ndodhur dje në orën 00.30 në fshatin Rrashbull pranë qytetit të Durrësit, kur dy persona të maskuar kanë hyrë në banesën e Zenel Berberit. Sipas të njëjtave burime, mësohet se ata kanë tentuar të realizonin një grabitje në banesë, por janë zbuluar, pasi kishin hyrë brenda saj, nga familjarët. Këta të fundit, në përpjekje për të shpëtuar paratë e tyre, janë përleshur me dy personat e maskuar. Burime në vendngjarje dhe nga dëshmitë e të dëmtuarve, bënë të ditur se përleshja është bërë me sende të forta, ndërsa nuk konfirmohet përdorimi i armëve të zjarrit. Për pasojë, janë plagosur 62-vjeçari Zenel Berberi, bashkëshortja e tij 58-vjeçare, Ikbale Berberi, si dhe vajza e tyre 25-vjeçare, A.Berberi. Ndërkohë, të plagosur në përleshje kanë mbetur edhe dy personat e maskuar që tentuan grabitjen. Burimet nga uniformat blu bëjnë të ditur se tre personat e plagosur në familjen Berberi janë dërguar në gjendje të rëndë në repartin e reanimacionit të qendrës spitalore në Durrës.
Hetimet
Forca të shumta policie kanë shkuar në vendin e ngjarjes, por deri në orët e vona të ditës së djeshme nuk kanë mundur të identifikojnë autorët. Ndërkohë, policia ende nuk është e qartë nëse dy maskat arritën të vjedhin shumën e parave që synonin të grabisnin në banesën e familjes Berberi. Burime nga policia bëjnë të ditur se dy autorët e aktit të dhunshëm besohet të kenë pasur jashtë banesës edhe persona të tjerë, bashkëpunëtorë.
Ky lajm është publikuar: 10/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›