Kryeprokurorja, mbështetje për Njësinë Hetimore në luftën kundër korrupsionit
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, shprehu dje mbështetjen e institucionit që drejton për Njësinë e Përbashkët Hetimore Task-Force, të ngritur pranë Prokurorisë së rrethit Tiranë për luftën kundër krimit ekonomiko-financiar dhe korrupsionit. Gjatë analizës së punës së kësaj Njësie, e cila u zhvillua paraditen e djeshme në Prokurorinë e Përgjithshme, kryeprokurorja Rama përshëndeti rezultatet e arritura në luftën kundër krimit ekonomik. Duke folur për punën e anëtarëve te kësaj Njësie, kryeprokurorja Rama vuri në dukje se puna e këtyre individëve zhvillohet në kushte jo tërësisht të lehta, pasi siç theksoi ajo “kemi të bëjmë jo me një krim të rrugës, por me hetimin e një krimi të sofistikuar”. Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, inkurajoi punonjësit e kësaj Njësie Hetimore që të vazhdojnë ta bëjnë këtë punë njësoj edhe në të ardhmen. Ajo vlerësoi edhe angazhimin e institucioneve të tjera shtetërore të përfshira në Njësinë Hetimore Task-Force në luftën kundër korrupsionit.
6 Qershor 2008