E Shtunë, 31 Tetor 2026

Task-Force: Shqipëria, fabrikë e falsifikimit të dokumenteve

Analiza vjetore, Dumani: “Kemi pasuri që vihen me dokumente të falsifikuara”. Njësia Hetimore përbëhet nga oficerë policie, prokurorë, ekspertë nga SHISH-i dhe Doganat

Luan Kondi

TIRANË - Në Shqipëri vepron tashmë një industri e vërtetë e falsifikimit të dokumenteve. Alarmin e jep Task-Force e Prokurorisë së Përgjithshme, kreu i së cilës u shpreh se “kemi pasuri që vihen me dokumente të falsifikuara, të vdekur që ngjallen dhe të gjallë që vdesin”. Drejtori i këtij organi, Altin Dumani, gjatë analizës vjetore ku ishin të pranishëm edhe kryeprokurorja Ina Rama, drejtori i SHISH-it, Bahri Shaqiri, zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, kryetari i Prokurorisë së Rrethit të Tiranës, Genti Xholi, deklaroi se ky fenomen është mjaft shqetësues. “Nuk e teproj kur them se jemi para një industrie të tërë falsifikimi. Ky fenomen, përfshi falsifikimin e pasaportave, patentave, vendimeve të gjykatave, vendimet e pushimit, vendimet e prokurorisë, kartat bankare etj”. Dumani kërkoi rritjen e bashkëpunimit me Drejtorinë e Doganave dhe të Tatimeve në lidhje me hetimin e këtij fenomeni tepër shqetësues. Më pas kryeprokurorja Ina Rama vlerësoi rezultatet e Njësisë së përbashkët Hetimore Task-Force në luftën kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit, si dhe bashkëpunimin mes strukturave përbërëse të kësaj njësie. Gjithashtu ajo theksoi nevojën e zgjerimit të projektit të ngritjes së Task-Forcës edhe në prokuroritë e rretheve të tjera të vendit. Njësia e Përbashkët Hetimore Task Forcë, e ngritur nga shtatori i vitit të kaluar në Prokurorinë e Rrethit të Tiranës, përbëhet nga oficerë policie, prokurorë, ekspertë nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Doganat. Objekt hetimi për këtë Njësi janë bërë një numër i lartë zyrtarësh të akuzuar për afera korruptive.
Falsifikimi i dokumenteve
Shefi i Njësisë së Përbashkët Hetimore Task-Force në Prokurorinë e Tiranës, Altin Dumani, evidentoi të enjten si mjaft shqetësues fenomenin e falsifikimit të dokumenteve zyrtare.
Nisur nga kjo, prokurori Dumani kërkoi që hetimi i kësaj vepre t’i kalojë për kompetencë Njësisë Hetimore Task-Force. Kjo Njësi e ngritur pranë Prokurorisë së Tiranës për luftën kundër krimit ekonomiko-financiar dhe korrupsionit, ka hetuar për periudhën (shtator 2007- maj 2008) 144 procedime penale me 153 persona të pandehur, nga të cilët 67 të pandehur me masë sigurie “arrest me burg”. Ndërsa 11 çështje me 26 persona të pandehur janë shqyrtuar nga Gjykata e Shkallës së Parë, e cila i ka shpallur fajtorë dhe dënuar të pandehurit e tyre. Ndërkohë që janë dërguar për gjykim 28 çështje me 62 të pandehur, 14 procedime janë të pushuara dhe janë nën hetim procedimet e tjera.
Sipas të dhënave të prokurorisë, 66 procedime penale janë për afera korruptive dhe krime në detyrë, me 78 të pandehur, nga të cilët 48 me masë sigurimi “arrest me burg”. Shumica e këtyre çështjeve janë nisur mbi bazë të kallëzimeve të qytetarëve pranë shërbimeve të Policisë Gjyqësore, çka sipas drejtuesve të Prokurorisë, dëshmon për rritjen e besimit të publikut te organet e rendit. Çështjet penale janë trajtuar me përdorimin e metodave speciale hetimore. Nga kjo Njësi janë hapur edhe çështje penale pas publikimit në media të të dhënave që flasin për abuzime nga punonjës të administratës.
Mashtrimi me kreditë
Drejtuesit e Njësisë së Përbashkët Hetimore Task- Force, e ngritur pranë Prokurorisë së Rrethit Tiranë për luftën kundër krimit ekonomiko -financiar dhe korrupsionit, i konsideruan të suksesshme procedimet penale të hapura në lidhje me mashtrimet me kreditë. Gjatë analizës për punën e bërë nga kjo Njësi Hetimore në Prokurorinë e Përgjithshme, kreu i saj, prokurori Altin Dumani, tha se këtyre çështjeve u është kushtuar kujdes i veçantë për shkak se janë bërë shqetësim për bankat dhe ekonominë në tërësi. Sipas tij, struktura që drejton ka finalizuar me sukses 2 procedime penale me 12 persona të arrestuar, si dhe ka nën hetim disa procedime të tjera në këtë fushë.

6 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›