E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strazimiri: “Bashkëpunim Polici - Prokurori për dënimin e personave të korruptuar”



Zëvendësministri i Brendshëm, Genti Strazimiri, kërkoi dje forcimin e bashkëpunimit mes strukturave të Policisë dhe Prokurorisë në funksion të përfaqësimit sa më dinjitoz të akuzës në proceset gjyqësore për dënimin e personave të akuzuar për korrupsion. Gjatë analizës së punës së Njësisë së Përbashkët Hetimore Task-Force për luftën kundër krimit ekonomiko-financiar, e cila u zhvillua paraditen e djeshme në Prokurorinë e Përgjithshme, zoti Strazimiri tha se “jemi në një stad të ri bashkëpunimi mes Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë dhe rezultatet pozitive te arritura janë shembulli më i mirë për t'u marrë parasysh dhe çuar përpara”. Duke iu referuar punës së kësaj Njësie Hetimore, Strazimiri theksoi se “e rëndësishme është shtrirja e kësaj eksperience në të gjithë territorin e Republikës, në mënyrë që të jemi më kapilarë për të luftuar me eficencë korrupsionin dhe krimin ekonomik”. Zëvendësministri Strazimiri vlerësoi punën e drejtuesve të Njësisë së Përbashkët Hetimore Task-Force për rezultatet e arritura deri tani, por theksoi se “vihet re një fenomen, që procedimet e nisura për korrupsion përfundojnë në gjykatë me ‘shpërdorim detyre’, duke ulur kështu probabilitetin për dënimin e shkelësve të ligjit. Nisur nga kjo, bashkëpunimi duhet të jetë edhe më i ngushtë që rastet që dërgohen në gjykatë të mos kenë asnjë arsye që të fillojnë si procedime që parashikon dënime më të ashpra dhe të përfundojnë me masa më të ulëta”.

6 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›