Tradicionalisti i fundit

Kur mori detyrën e shefit të UNMIK-ut, në shtator të vitit 2006, Joakim Ryker pa asnjë hezitim deklaronte se do të jetë Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP), i fundit në Kosovë. Gjermani, i cili deri në atë kohë kishte udhëhequr Shtyllën e Katërt të UNMIK-ut, e financuar nga Bashkimi Evropian, atëherë besonte se nuk do të ishte nevoja që ai të qëndronte Kryeadministrator për një kohë të gjatë. Marti Ahtisari në atë periudhë kishte hyrë në fazën e fundit të negociatave për statusin e Kosovës, dhe sipas skenarit, plani i tij do të aprovohej nga Këshilli i Sigurimit. Katër muaj pas aprovimit të atij plani, por vetëm në Parlamentin e Kosovës, Ryker do të duhej të kishte fikur dritat në UNMIK, sepse ky plan nuk parashikon më asnjë rol për OKB-në. Sidoqoftë, nuk është vetëm Rykeri që nuk i kanë dalë fjalët, për shkak të bllokadës ruse në Këshillin e Sigurimit. Edhe pse në pritje të raportit për rikonfigurimin e UNMIK-ut, që do të shpaloset javën e ardhshme, Ryker jep shenja të qarta se qershori mund të jetë muaji i fundit i punës së tij në Kosovë. “Nëse UNMIK-u është në gjendje të adaptohet në rrethanat ndryshuese në mënyrë gjithëpërfshirëse, atëherë ndoshta mund të thuhet një gjë e tillë”, ka thënë Ryker në një intervistë për “Express”. Tërthorazi konfirmon se pasardhësi i tij, edhe pse do të quhet PSSP, nuk do të ketë as për së afërmi kompetencat që i ka pasur Ryker dhe paraardhësit e tij. PSSP-ja i ri, që pritet të jetë një italian, do të ketë rol dhe mandat shumë të ngushtë. “Disa kanë sugjeruar se unë mund të jem PSSP i fundit tradicional”, thotë Ryker. Ai shpalos një pjesë të pranisë së ardhshme të OKB-së, që duhet të fillojë të formësohet pas 15 qershorit. “Ne do të vazhdojmë të kemi përgjegjësi lidhur me fushat politike dhe raportimin politik në Nju Jork. Do të vazhdojmë të kemi Shtyllën e Tretë (OSBE). Nuk do ta kemi më Shtyllën e Katërt. Mendoj se forma e misionit të OKB-së në Kosovë po lind”. Çështje që mbetet të zgjidhet, është mënyra sesi do të ndërlidhet Misioni i ardhshëm i OKB-së me EULEX-in, përkatësisht si do të veprojnë me sektorin e sundimit të ligjit, policinë dhe gjyqësinë. Ryker shprehet i bindur se, para se të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, do të ketë qartësi lidhur me të ardhmen e OKB-së dhe EULEX-it. “Lidhur me këtë, po vazhdojnë bisedimet e nivelit të lartë mes Nju Jorkun dhe të gjithë faktorëve të tjerë. Jam i sigurt se do të kemi rezultat nga këto bisedime në një të ardhme shumë të afërt, para 15 qershorit”. Sipas mandatit që ka, Ryker do të duhej të bënte bartjen e kompetencave në institucionet e Kosovës. Për këtë veprim i nevojiten instruksionet nga lart. “Interpretimi i mandatit tonë, duke marrë parasysh rrethanat në ndryshim, është kompetencë e Nju Jorkut”, thotë ai. Ryker pranon se aktualisht, sfida e tij kryesore është të veprohet në mënyrë adekuate ndaj rrethanave në ndryshim. “Ne nuk jemi të shurdhër dhe të verbër. Rrethanat në Kosovë po ndryshojnë dhe ne duam t’i përshtatemi në mënyrën sa më pragmatike të mundshme, sipas mandatit tonë”. “Ky mision ka reaguar gjithmonë ndaj ndryshmit të rrethanave. Shpresojmë se do të jemi në gjendje të reagojmë ndaj realiteteve të reja, në mënyrë adekuate. Kjo do të thotë se, sa të jetë në fuqi Rezoluta 1244, OKB-ja gjithmonë do të ketë rol në Kosovë dhe përgjegjësi për Kosovën. Por forma e misionit të (ardhshëm) të OKB-së nuk ka nevojë të jetë siç është sot”, ka thënë Ryker. Me gjithë zhvillimet e bujshme pas 17 shkurtit, dhe cenimit të madh të mandatit të UNMIK-ut nga strukturat ilegale serbe, ai vlerëson se gjendja e përgjithshme në Kosovë është e qëndrueshme. “Krahasuar me atë çka disa kishin projektuar që do të ndodhte, mendoj se situata në Kosovë përgjithësisht është stabile. Gjatë muajve të fundit, praktikisht nuk kemi pasur asnjë incident ndëretnik”. Ai thotë se po punon së bashku me qeverinë e Kosovës dhe KFOR-in, që të kthehen në kufijtë veriorë të vendit dy pikat doganore të djegura nga serbë të rebeluar. Joakim Ryker nuk pajtohet me vlerësimin se gjatë muajve të fundit ka qenë i pafuqishëm, për shkak se Nju Jorku, por edhe Grupi i Kontaktit nuk i kanë dhënë mbështetje të duhur që të përballet me sfidat që vijnë nga Beogradi.