Kryeprokurorja pret Reeker: Të respektohet pavarësia e institucioneve
Prokurori i Përgjithshëm, Ina Rama, pati një takim me Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, Philip Reeker.
Duke shprehur kënaqësinë për këtë vizitë të këtij delegacioni të nivelit të lartë, Znj. Ina Rama bëri një pasqyrë të punës së Prokurorisë Shqiptare, angazhimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duke synuar gjithnjë rritjen e profesionalizmit, zbatimit me rigorozitet të ligjit dhe mirëfunksionimin si institucion i pavarur.
Në vijim të fjalës së saj, Kryeprokurori i Përgjithshëm, bëri një panoramë të institucioneve të drejtësisë, mënyra si funksionojnë dhe ndërlidhen ato me njëra tjetrën, si dhe sfidat me të cilat ndeshet sot drejtësia shqiptare.
Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, Philip Reeker, duke vlerësuar punën e Prokurorisë Shqiptare, theksoi se në një demokraci funksionale është e rëndësishme pavarësia e institucioneve. Z. Reeker, në këtë aspekt, duke njohur rezultatet pozitive të arritura, e cilësoi Prokurorinë Shqiptare si një partner të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gjatë takimit u cekën dhe probleme të reformës në sistemin e drejtësisë, mirëfunksionimit dhe bashkëpunimit midis institucioneve në fushën e drejtësisë dhe marrëdhëniet midis pushteteve në respekt të fuksionimit të shtetit ligjor.