Rama në faqen e internetit: Shumë zhurmë për asgjë
Një ditë pasi Partia Socialiste ka zhvilluar Asamblenë Kombëtare, kreu i selisë rozë Edi Rama ka reaguar në faqen e tij të interentit në lidhje me publikimet e mediave. Në një shkrim të tij të titulluar “shurmë zhurmë për asgjë”, Rama ka reaguar në lidhje me publikimet e sotme në shtypin e përditshëm për shpërndarjen e anëtarëve të kryesisë në qarqet e vendit.
Sipas tij gazetat kanë vrapuar edhe të lajmërojnë me të madhe "rikthimin" e Fatos Nanos në PS që sipas tij është një lajm i prodhuar jashtë kontekstit pasi Fatos Nano si gjithë ata përfaqësues të PS që kanë pasur detyra të larta shtetërore, për shembull Rexhep Meidani, Servet Pëllumbi, Ylli Bufi, po edhe si ish-kryetar i PS është anëtar i Asamblesë Kombëtare.
“Si i tillë ka qenë gjithnjë në listën e delegimeve në bazën e partisë të të gjithë anëtarëve të Asamblesë Kombëtare. Pra zyrtarisht, de jure, s`e ka larguar kush më parë dhe as e ka rikthyer kush dje. Tjetër gjë si kanë rrjedhur gjërat e çka zgjedhur të bëjë ai vetë de facto në gjithë këto vite duke u distancuar larg nga PS-ja, po kjo s`ka të bëjë gjëkundi me mbledhjen e djeshme” ka theksuar Rama.
Ai gjithashtu ka theksuar se nuk ka pasur rebelime të deputetëve për sa i përket shpërndarjes së tyre në qarqe të ndryshme të vendit por opinione të shperhura lirisht në diskutimin e brendshëm.
“Anëtarët e kryesisë së re janë deleguar si zakonisht për të koordinuar e monitoruar punën e partisë në gjithë territorin. Eshtë bërë një ndarje e re dhe të gjithë kanë lëvizur nga zonat ku janë deputetë, sepse kështu e kemi parë më të arsyeshme. Për t`i dhënë një shtysë të re dhe energji të reja pozitive punës së përbashkët në çdo zonë. Gazetat janë ngutur të shkruajnë me gërma të mëdha se "u hoq ky e ai që andej". Jo, askush s`është hequr nga askund, të gjithë janë rivendosur në bazë të një plani pune të menduar e të dakordësuar bashkarisht. Edhe, si gjithmonë, në fund të diskutimit janë marrë edhe vendimet përkatëse, pa asnjë vështirësi a cënim të frymës demokratike e të angazhimit të gjithësecilit për të mirën e punës së përbashkët” ka shtuar Rama.
Ai ka shtuar më tej se pas këtyre titujve e skupeve të prodhuar nga hiçi, është nevoja e pushtetit për të cënuar frymën e brendshme të PS-së dhe imazhin e saj, duke krijuar edhe nga asgjëja diçka që të prishë shijen e publikut për PS-në, si një shtëpi ku s`ka ditë që të mos ketë sherr.
“Çka në fakt është krejt e pavërtetë. Siç janë të pavërtetë të tërë titujt e sotëm shkruar me të vërteta të nxjerra krejt jashtë kontekstit, për t`u kthyer qëllimisht në gënjeshtra. Gënjeshtra që shesin gazeta duke joshur lexuesin me "sekrete" të dala nga mbledhja dhe duke bërë shërbimin e radhës për pushtetin që shpresën e fundit të qëndrimit në këmbë, ka baltosjen e PS-së e spostimin e vëmendjes së publikut të keqqeverisur tek "problemet" e PS-së edhe atëherë kur, si dje, mjafton thjesht që PS-ja të bëjë një mbledhje për të ngritur një mjegull mediatike nga asgjëja” ka shtuar më tej Rama.