Rama i bën deputetët korrierë, kurse Taulant Ballën centralist

Shfaktorizohen politikisht, të gjithë drejtuesit e PS-së në rrethe si dhe të gjitha figurat e rëndësishme që udhëhiqnin prej kohësh fushatat elektorale. Me vendimin e Edi Ramës, tani deputetët janë shndërruar thjesht në korrierë të njoftimeve të kryetarit, pasi kuptohet se Braçe s’njeh asnjeri në Korçë e as Pandeli Majko i kupton bashkëbiseduesit socialistë të Dibrës. Funksioni më poshtërues i është ruajtur Taulant Ballës, i cili pas protestave, është graduar “centralist” i Asamblesë së partisë
Asambleja e djeshme e PS-së ka ngritur siparin e fazës së fundit të shfaktorizimit politikisht të, të drejtuesve dh anëtarëve të kryesisë së kësaj partie.
Shfaktorizimi politik i gjithë kupolës drejtuese të PS-së, dje thjesht u ligjërua.
Ndërsa prej kohësh, Edi Rama është kujdesur dhe ia ka arritur të shfaktorizojë disa prej ish-drejtuesve, duke i përjashtuar ata nga forumet drejtuese, dje ju kthye “të mbeturve” që vetë i ka zgjedhur në kryesi.
Si mosbesues prej natyre Edi Rama ju ka përcjellë gjithë anëtarëve të kryesisë së PS-së, mesazhin se nga dje ata nuk “duhet ta dredhin bishtin” sepse nuk do të jenë asgjë më shumë se sa korrierët, të cilët nuk do të bëjnë asgjë më shumë se sa do të shpërndajnë mesazhet e tij.
Për të shmangur ndonjë mos-koordinim me korrierëve, Edi Rama “prezantoi” dje edhe zgjidhjen për këtë rast të mundshëm, duke emëruar Taulant Ballën si centralist.
Nga dje, të gjithë drejtuesit e PS-së në rrethe si dhe të gjitha figurat e rëndësishme që udhëhiqnin fushatat elektorale, do të “gëzojnë” një “status” të ndryshëm me atë që kanë pasur, sikurse është risia e shpërndarjes së mesazheve të Edi Ramës, por tashmë në “terrene të huaja”, ndërsa për secilin prej “status-gëzueshmit” e djeshëm, vihet në pikëpyetje një “renditje në vend nderi” në listat e kandidatëve për deputetë, për zgjedhjet e vitit 2013. Duke qenë se shumica prej tyre përbënin “elitën” e listave për deputetë të zgjedhjeve të shkuara të vitit 2009, nga dje, po kjo shumicë, ka dalë në tregun e ankandit të humorit të kryetarit Edi Rama.
Mjafton për këtë të marrim si shembull qëndrimin “kundër” dje në Asamblenë e PS-së, të Erion Braçes. Në kundërshtinë e tij për “formulën” e shpërndarjes së anëtarëve të kryesisë nëpër qarqe, me të cilët nuk kanë asnjë lidhje, Erion Braçe, nuk është se kundërshtonte “statusin” e ri të tij, atë të korrierit, që do të shpërndajë mesazhet e Edi Ramës...
... Gjetkë e kishte hallin dje Erion Braçe.
Duke bërë një prapakthim të vogël, deri në prag zgjedhjet e vitit 2009, kujtojmë se hasmëria deri në armiqësi e Erion Braçes me Erion Veliajn ishte emblematike. Duke qenë se të dy, respektivisht, i pari për PS-në dhe i dyti për G99-ën, kryesonin listat e kandidatëve për deputetë në qarkun e Beratit, protagonizmi i Erion Braçes, përballë tentativës për protagonizëm të Erion Veliajt, arriti deri atje sa të akuzonin njëri-tjetrin për vjedhje rrespektive të votave. Zgjedhjet e vitit 2009 përfunduan dhe Erion Veliaj ngeli jashtë Parlamentit. Por, kjo nuk do të thotë që t’ia falë Erion Braçes. Ndaj edhe falë një “lidhje të shkurtër” të tij me Edi Ramën, ky (Edi Rama) e degdisi Erion Braçen në Korçë, duke i falur Erion Veliajt, jo vetëm Beratin, por edhe kryesimin e listës së kandidatëve për deputetë në vitin 2013... Këtë herë Erion Veliaj ka mbi kokë siglën e PS-së, jo më të G99-ës.
Por këmbëngulja kundërshtuese e djeshme e Erion Braçes ishte “pa bereqet”, sepse nga dje ai kuptoi se e humbi përfundimisht Beratin, duke lexuar edhe një humbje të mundshme më të madhe. Sa për atë se mund të ngushëllohet me faktin se Edi Rama e “gradoi” në korrier të mesazheve të tij për në Korçë, kjo nuk besohet e mund të gëlltitet nga Erion Braçe. Sepse edhe kjo gjë jo vetëm i parashkruan një perspektivë të errët, por se, kuptohet se Erion Braçe s’njeh asnjeri në Korçë...
Ose..., ose..., ai njeh në Korçë ndonjë njeri të mundshëm, sa mundet që Pandeli Majko të kuptojë bashkëbiseduesit socialistë të Dibrës.