E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeqytetaset: Tirana e Partizani shkëputen në krye

Altin B. Kodra

Tirana dhe Partizani kanë rikonfirmuar synimet e tyre, duke u shkëputur në krye të renditjes së Kategorisë Superiore, pas fitoreve të korrura sot, përkatësisht ndaj Apolonisë në kryeqytet dhe Shkumbinit në Peqin. Dy rivalet kryeqytetase, të cilat kanë përkatësisht 14 dhe 13 pikë, janë shkëputur tashmë 3 pikë nga grupi i skuadrave ndjekëse, që përbëhet nga Shkumbini, Teuta dhe Elbasani, ndërsa vetëm një pikë më prapa, është Vllaznia e vendit të gjashtë, e cila pa t'i shpëtonin nga duart 3 pikët pas atij barazimi 1-1 të arritur në castet e fundit në Krujë nga Kastrioti. Në gjysmën e poshtme të renditjes, është Luftëtari që mbetet me shtatë pikë, ndërsa është ngjeshur grupi i skuadrave me nga 6 pikë, që përbëhet nga Flamurtari, Dinamo, Besa dhe Kastrioti, të cilat duan të qëndrojnë larg Apolonisë së betonuar në fundin e renditjes me një pikë të vetme. Në fakt, ndeshjet e dy skuadrave kryesuese kanë qenë krejt të ndryshme në fizionomi, ndonëse me të njëjtin përfundim. Bardheblutë kanë vuajtur përballë fierakëve, duke u detyruar ta mbyllin në barazim 1-1 45 minutat e para, ndërsa të kuqtë kanë luajtur me kujdes dhe kanë ruajtur gjakftohtësinë në Peqin, përballë Shkumbinit dhe publikut vendas. Tirana ka shënuar që në minutën e 6-të, me anë të Sajmir Patushit, por, megjithë rastet e shumta për shënim që ka krijuar, nuk ka mundur ta gjejë sërish rrjetën e portës fierake, madje, është ndëshkuar për këtë paaftësi, pasi, 7 minuta para përfundimit të pjesës së parë, në të vetmin sulm të Apolonisë, Sebino Plaku mposht Nallbanin dhe barazon rezultatin. Gjithsesi, në pjesën e dytë, sidomos në gjysmën e dytë të saj, trajneri Mirel Josa hedh në fushë titullarët dhe është dyshja shkodrane, Sinani-Salihi, ajo që do të gjejë dy gola që do të vulosin e bradhebluve me rezultatin 3-1, me gola të shënuar në minutën e 79-të dhe të 85-të. Ndërkaq, në Peqin, aty ku Partizani nuk fitonte që prej 10 vjetësh, gjithcka do të mbyllet me rrjeta të paprekura në pjesën e parë, ndërsa në të dytën, ashtu sikundër edhe kishte deklaruar një ditë më parë në "Standard" trajneri Neptun Bajko, skuadra e tij është mbrojtur me sukses, duke shfrytëzuar mjaft mirë kundërsulmin, me anë të të cilit ka gjetur edhe dy golat e fitores. Fillimisht është Muzaka ai që mposht kurthin e pozicionit jashtëloje, duke kaluar të kuqtë në epërsi në minutën e 54-t, dhe, 16 minuta më pas, është braziliani Leandro ai që dyfishon epërsinë e kryeqytasve me golin e tij të parë me fanellën e Partizanit. Në ndeshjet e tjera të luajtura dje, vlen të përmendet fitorja minimale, por mjaft e dobishme, 1-0, që Elbasani korri në Stadiumin "Ruzhdi Bizhuta", të vulosur nga ai gol i Gentian Stojkut në minutën e 58-të, që nënkupton gjithashtu që ky lojtar ka shënuar 3 nga 6 golat e kampionëve në fuqi. Ndërkaq, interesant ishte edhe ai barazim 1-1, i arritur në minutën e parë shtesë nga Kastrioti në Krujë përballë Vllaznisë, e cila kryesonte që nga minuta e 36-të me anë të golit të Suad Licit. Golin për krutanët e ka shënuar Hasa. Ndërkohë që Flamurtari ka rigjetur fitoren, me atë të gol të Sasha Delainit në minutën e 49-të, në sfidën e luajtur ndaj Luftëtarit në Lushnje, derbi i fqinjëve, ai midis Besës dhe Teutës, është mbyllur në barazim 1-1.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›