Pikat e gazit ,“gërdecë” në mes të qyteteve
Pikat e tregtimit të karburanteve, por kryesisht ato të gazit, përbëjnë një rrezik serioz për jetën e qytetarëve. Mjafton të shohësh që shumë syresh janë ndërtuar madje në katet e para të pallateve apo krejt afër tyre për të ditur se rreziku fle bashkë me qytetarët çdo çast. Institucioni i Avokatit të Popullit e ka parë si tepër shqetësuese këtë çështje, ndaj ka kryer inspektime dhe pas kësaj ka bërë rekomandimet e tij pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës për të marrë masa ndaj subjekteve që nuk plotësojnë kushtet teknike. Institucioni i Avokatit të Popullit, duke marrë shkas nga tragjedia e ndodhur në fshatin Gërdec me datën 15.3.2008, me nismën e tij dhe bazuar në detyrimet e tij kushtetuese në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe për të ndikuar në mirëqeverisje, duke pasur parasysh se e drejta e jetës së shtetasve në vendin tonë shpesh kërcënohet nga veprimtari dhe objekte të ndryshme shtetërore apo private që përbëjnë burim rreziku të shtuar, ka nisur një proces shqyrtimi për këtë çështje shumë të rëndësishme, e cila nëse nënvleftësohet ose ulet niveli i kujdesit të përhershëm ndaj rrezikshmërisë që paraqesin, mund të sjellë përsëri pasoja të paparashikueshme për jetën, shëndetin, pronën dhe nivelin e sigurisë në vend. Disa nga objektet që Avokati i Popullit konsideron si të tilla janë edhe instalimet, impiantet dhe stacionet e tregtimit të naftës, gazit të lëngshëm dhe nënprodukteve të tyre të shpërndara në të gjitha qytetet dhe komunat, përfshirë në mënyrë të veçantë edhe njësitë e qeverisjes vendore të Qarkut Tiranë, që për vetë specifikën që ka, përbën sasinë më të madhe të ruajtjes, depozitimit apo tregtimit të tyre në vend. Për identifikimin e të gjitha këtyre objekteve me burim rreziku të shtuar, kërkoi nga të gjitha njësitë e qeverisjes vendore, bashki dhe komuna, informacion për ekzistencën e tyre në territoret që ato administrojnë dhe të problemeve të sigurisë dhe mbrojtjes nga zjarri që mund të kenë në relacion me komunitetet, objektet shtetërore dhe pasuritë e tyre. Pas përgjigjeve të marra nga institucionet vendore, institucioni i Avokatit të Popullit ka dhënë rekomandimet e tij për marrjen e masave. Avokati i Popullit ka dhënë rekomandim për marrjen e masave të menjëhershme organizative për kontrollin e verifikimin e normave dhe kushteve teknike të përcaktuara në lejet dhe autorizimet përkatëse, të sigurisë, të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit të jetës së njerëzve, të parandalimit të ngjarjeve, zbatimin e ligjshmërisë, dhënien e asistencës teknike dhe rritjen e nivelit të ndërhyrjeve në rast emergjencash, në të gjitha impiantet, instalimet, depot, njësitë tregtare ushqimore ku tregtohen edhe bombola gazi, stacionet e tregtimit të gazit, naftës dhe nënprodukteve të tij, që ushtrojnë veprimtarinë e tyre me burim rreziku të shtuar në Qarkun Tiranë, si dhe marrjen e masave të rrepta administrative ndaj kundravajtësve dhe në rastet kur formojnë vepër penale, denoncimin e tyre në organet e ndjekjes penale, ndaj cilitdo subjekti shtetëror apo privat që me veprime apo mosveprime kanë cenuar ose cenojnë sigurinë e jetës së shtetasve, të pasurisë së tyre, të objekteve dhe pasurisë shtetërore.
Inspektorati Qendror Teknik pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, pas shqetësimit të ngritur nga Avokati i Popullit, me grupe pune të organizuara ka kontrolluar gjithë aktivitetin e tregtimit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre që kryhet në Tiranë, duke lënë për çdo rast aktkontrolli dhe aktndalesë për shkeljet me rrezikshmëri për jetën e njerëzve. Edhe në muajt mars-prill të këtij viti janë ushtruar kontrolle me grupe pune të përbashkëta PMNZSH, Agjencinë Rajonale të Mjedisit etj. dhe janë bërë takime me drejtuesit e minibashkive të Tiranës për problemet e hasura sipas zonave përkatëse, ku pretendimi i tyre është se pajisja me dokumentacion tekniko-ligjor për subjektet e tregtimit të naftës e gazit, është kompetencë e bashkisë qendrore të qytetit. Janë kontrolluar subjekte dhe pika karburanti dhe në disa prej tyre janë gjetur shkelje të rënda dhe për disa prej tyre janë kërkuar ndjekje penale për subjekte që kryejnë dhe transvazim (mbushje të bombolave të vogla nga të mëdhatë). Por në shumë raste ka rezultuar se subjektet kanë pasur dokumentacion të rregullt dhe leje për tregtimin e karburanteve, pavarësisht se janë pranë zonave të banuara.
Projektligj për ndotjen ndërkufitare të ajrit në distancë të largët
Shqipëria forcon masat për mbrojtjen e mjedisit nga ndotësit ndërkufitarë të ajrit. Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën projektligjin "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin "Për reduktimin e shkarkimeve të squfurit apo të flukseve të tyre ndërkufitare, të paktën në masën 30%", mbështetur në konventën e vitit 1979, "Për ndotjen ndërkufitare të ajrit në distancë të largët".