E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autobusi peng, 20 minutat e tmerrit



BALLSH/ MAJLINDA RAMA

Plot njëzet minuta ankth përjetuan dje 6 pasagjerët e mbetur në autobusin e linjës Tiranë-Sarandë.Një 32-vjeçar rrëmbeu mjetin, duke arritur të përshkojë, nëpërmjet përplasjeve e tronditjeve të forta, një pjesë të rrugës nacionale, për të përfunduar vetëm kur autobusi u mbulua nga flakët. Në një destinacion që ai vetë e tha se ishte drejt Kakavijës, por që nuk arriti deri aty.
Ngjarja e rrallë, për fat pa lëndime në njerëz, u shënua mesditën e djeshme, në aksin rrugor Ballsh-Tepelenë. Pikërisht në vendin e quajtur Fratar, në momentin kur drejtuesi dhe një pjesë e mirë nga 30 pasagjerët kishin ndaluar për të ngrënë drekë, një i ri, i identifikuar më vonë si Eduart Rexhepi, u bë protagonist i saj. Dëshmitarët dhe vetë drejtuesi i autobusit me targë SR 4911 B, Vasil Mërkuri, tregojnë se udhëtimi kishte shkuar normalisht deri në fshatin e Ballshit. Brenda lokalit ku po hanin udhëtarët ka hyrë Rexhepi, i cili me ngulm i ka kërkuar drejtuesit që ta merrte me vete deri në Sarandë, por nuk kishte para për biletën. Fillimisht, shoferi ka hezituar, por më vonë i ka dhënë leje të riut që të zinte vend në autobus derisa të mbaronin drekën. Nga ana e tij, 32-vjeçari i ka kërkuar të linte ushqimin e të niseshin sepse ai nxitonte. Në këtë pikë ata kanë debatuar, duke bërë që i riu, i nxehur, të dilte jashtë e të shkonte direkt e në vendin e shoferit në autobusin ku ndodheshin 6 pasagjerë, gra, një burrë e dy fëmijë. Menjëherë është nisur, duke e ngarë makinën në mënyrë të tmerrshme, siç tregojnë pasagjerët. “Kisha në duar fëmijën 2 vjeç. U trembëm, por më tepër mendoja fëmijën. Autobusi ecte me shpejtësi, duke bllokuar të gjithë rrugën. S’e di se si kemi shpëtuar. Na ruajti zoti dhe drejtuesit e tjerë të automjeteve, të cilët e panë që ne ulërinim brenda dhe që ai ecte si i çmendur dhe na hapën rrugë”, thotë nëna e re. Ajo tregon se gjithë rrugës i janë përgjëruar pengmarrësit, por ai nuk i ka dëgjuar. Megjithatë, vetë “shoferi” u ka pohuar se nuk duhej të shqetësoheshin, pasi do i çonte shëndoshë e mirë në Kakavijë. Por, siç tregojnë pasagjerët, askush nuk mund të qëndronte i qetë, kur autobusi mund të dilte nga momenti në moment jashtë rruge, për të shkaktuar ndonjë tragjedi. Ndërkohë, të lajmëruar për ngjarjen, forca të shumta policie nga i gjithë qarku janë vënë në ndjekje të autobusit, duke iu afruar atij, por Rexhepi nuk jepte asnjë shenjë se do të ndalonte vetë. “Shpëtimi” ka ardhur pikërisht nga drejtimi i keq i mjetit, në afërsi të fshatit Krahës të Tepelenës, pasi dyshohet se nga mbajtja e frenave të dorës ngritur, ferrotat të jenë nxehur deri në pikën që kanë provokuar marrjen flakë të gomave të pasme. Pasagjerët e rrëmbyer me autobusin kanë dhënë alarmin. Në ato momente, Rexhepi, i frikësuar dhe vetë nga flakët, ka ndaluar. Udhëtarët kanë zbritur me shpejtësi e po ashtu dhe autori që tentoi të largohej. Policia ka mundur ta kapë brenda pak çastesh. Me gjithë njoftimin e zjarrfikëseve, në momentin e mbërritjes së tyre, autobusi ishte përfshirë tërësisht nga flakët. Pasagjerët kanë parë nga larg sesi u digjeshin bagazhet, dokumentet dhe gjërat me vlerë që kishin pasur me vete në këtë udhëtim fatkeq. Fillimisht ata kanë pohuar se e vetmja gjë që mendonin në ato momente ishte shpëtimi i jetës, por më vonë kanë bërë bilancin e dëmeve të shkaktuara prej kësaj aventure që nuk e dinë se pse ndodhi.

“Na tha: Do t’ju çoj në Kakavijë”

Marjeta çollaku është njëra prej pasagjereve të autobusit të rrëmbyer. Ajo tregon se djali, në momentin që ka marrë drejtimin e mjetit ka qenë tepër i shqetësuar. “Ishte shumë i paqetë. Bërtiste duke sharë vetën dhe botën që e rrethonte. Ishte shumë i çekuilibruar dhe i jepte timonit pa ditur asgjë rreth autobusit. Nuk e di se sa herë jemi përplasur rrugës Përplaseshim me anët e bordurave dhe e merrte kthesën pa pikën e kujdesit. Iu lutëm me mijëra herë të na linte të lirë se ishim të sëmurë dhe kishim fëmijë me vete por ai nuk na e vuri veshin. Jemi një gjak, jemi si vëllezër. Mos u mërzisni se do t’u çoj të sigurt në Kakavijë, na thoshte gjatë kohës që ne i luteshim. Tani jemi të qetë se e pamë dritën e diellit sërish, por ato çaste nuk kam për t’i harruar. Shihte si i habitur sa andej-këtej dhe nuk kontrollonte dot lëvizjet. I thamë të na linte se policia mund ta kapte dhe gjërat do të përkeqësoheshin, por ai na tha se e kishte çdo gjë nën kontroll. Gjatë gjithë rrugës na thoshte të mos shqetësoheshim se nuk do të na lëndonte në asnjë çast. I thamë që nëse do të kishte nevojë për para, do t’ia jepnim cfarë kishim, por ai i refuzoi. Nuk e dimë përse e bëri gjithë këtë”, u shpreh çollaku.

Dyshimet se do kalonte kufirin

Eduart Rexhepi, banor i lagjes së re në Patos, nuk ka pranuar të tregojë arsyen e aventurës së tij, edhe pas disa orësh nga përfundimi. Burime të policisë thanë dje se, 32-vjeçari, i pamartuar, ka qëndruar në heshtje deri në mbrëmje. Ai është dërguar në komisariatin e policisë së Fierit, menjëherë pas ndalimit, në Krahës të Tepelenës. Përfaqësues të policisë dhe prokurorisë kanë qëndruar në pritje të zbërthimit të tij. Ndonëse fillimisht u dyshua për një person me probleme mendore, gjatë orëve të shoqërimit nuk ka shfaqur shenja të depresionit, aq sa policia të përcaktojë gjendjen e tij si të tillë. Deri para 5 vitesh ai kishte qenë emigrant në Greqi, por pas kthimit, gjendja e tij ekonomike ishte e dobët. Nisur nga fakti se ai nuk kishte lekë në momentin kur është ngjitur në autobus dhe dëshmitë e pasagjerëve se ai u ka thënë se do të shkonin drejt Kakavijës, ka hedhur dyshimet se pikërisht ky ishte qëllimi, të hynte në Greqi. Megjithatë, policia nuk e konfirmon këtë, duke pritur dëshminë e vetë autorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›