E Shtunë, 31 Tetor 2026

Picasso e Chagall, sot në Galerinë e Arteve



Më në fund edhe publiku shqiptar do mund të shohë nga afër vepra të të mëdhenjve të pikturës botërore. Bëhet fjalë për emra si Picasso, Chagall, de Chirico, Warhol, etj., veprat e të cilëve do të ekspozohen qysh sot në Galerinë Kombëtare të Arteve. Në kuadër të stinës së Aktiviteteve Italo – Shqiptare “Dy popuj, Një det, Një miqësi”, GKA në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Tiranë, deri në datën 30 maj, mundësojnë ekspozitën me vepra të shkëputura nga koleksioni “Ca` La Ghironda”, i koleksionistit të njohur italian, mjekut Francesco Martani. Përzgjedhja e punëve është kryer nga GKA dhe Qendra Kulturore “Ca La Ghironda”. Ekspozita është e ndërtuar në dy seksione. Në të parin, me titull “Shkëlqime Klasike” paraqiten vepra të autorëve më të njohur italianë të shek. XVI dhe XVII, ndër të cilët artistë si Francesco Raibolini njohur si Francia (Françesko Raibolini- França), Guido Reni, Annibale Caraçi (Anibale Karaçi), Giovan Francesco Barbieri, i njohur si Guercino (Xhovan Françesko Barbieri njohur si Guerçino). Pjesë e këtij seksioni është edhe një vepër nga artisti i famshëm flamand i shek. XVII, Anthony Van Dyck (Anton Van Dik). Ky seksion është një përzgjedhje e kujdesshme e shkollave të ndryshme të qyteteve italiane, si ajo e Bolonjës, Romës, Venecias apo Napolit. Temat e trajtuara në këtë seksion janë fetare, tema të antikitetit romak si edhe peizazhi. Seksioni dytë, me titull “Atmosfera të Shekullit XX”, paraqet pothuajse të gjitha kërkimet artistike gjatë shekullit të shkuar. Shek. XX njihet si shekulli i eksperimentimit maksimal në art, dhe ky seksion është një përzgjedhje më qëllim për të ofruar para publikut të GKA, vepra që përfaqësojnë disa nga rezultatet e këtyre kërkimeve dhe tendencave. Ky seksion përmban vepra nga artistët më të famshëm italianë dhe botërorë të shek. XX. Të dyja seksionet e kësaj ekspozite përmbajnë vepra origjinale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›