E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeshefi i Agjencionit Kadastral akuzohet për korrupsion

Agjencia Kadastrale e Kosovës është akuzuar për korrupsion. Akuza për keqpërdorime të shumta në këtë institucion kanë hedhur dy punëtorë të sapo larguar nga puna nga AKK.

Ata akuzojnë personalisht kryeshefin e agjencisë Murat Meha, për zhvatje, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe manipulime me tender.

Ish zyrtari i lartë ligjorë në këtë agjenci, Ali Sefaj ka thënë për KTV-në se rasti është denoncuar edhe në organe të drejtësisë.

“Agjencioni kadastral është institucion ku kryeshefi Meha e përdor për teka të veta. Ai makinën zyrtare e përdorë për të gjitha nevojat personale, në kemi fakt për shumë manipulime që ka bërë ai në këtë agjenci”, ka thënë Sefaj.

Duke e akuzuar rëndë për vepra korruptive, i larguari tjetër nga puna, Dukagjin Venari, ka thënë se është grushtuar nga Meha.

Por, kryeshefi i Agjencionit Kadastral, Murat Meha i ka mohuar të gjitha akuzat.

“Akuzat janë të kota, dhe për çdo gjë ekziston arkivi. Ne jemi të gatshëm të punojmë më të gjitha organet e drejtësisë, për çdo dyshim ose keqpërdorim”, është shprehur Meha. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›