E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohen 26 zona zgjedhore, e jo 6 sa pretendonte PDK-ja

Deputetët e ardhshëm të Kuvendit të Kosovës ka gjasë të vijnë nga 6 apo më shumë zona zgjedhore, varësisht prej marrëveshjeve partiake.

Takimi i fundit, ku bëri bashkë liderë partiakë e përfaqësues të vendeve të Quintit, i thirrur nga lideri i LDK-së, Isa Mustafa, nga analistët shihet si lëvizje e bërë vetëm pas presionit të shtuar ndërkombëtar, por jo edhe për sjellje rezultatesh meqë, vlerësohet se punët kryesore kanë mbetur pa u zgjidhur.

Partia në pushtet, PDK-ja, është që Kosova të ketë 6 zona zgjedhore, por kjo kundërshtohet fuqishëm nga Vetëvendosja. Shoqëria civile është pro faktit që Kosova të ketë më shumë zona zgjedhore, madje të shkohet deri në 26 .

Driton Selmanaj nga KDI-ja ka thënë se ideja e PDK-së për t’i bërë 6 zona nuk do të ndryshonte shumë nga ajo që është sot, një zonë zgjedhore, raporton KTV.

Ndërkohë Ardian Arifaj nga KIPRED-i ka thënë ndarja në 6 zona apo 7 do të ishte e mirë, por gjithsesi të ulej edhe pragu zgjedhor me qëllim që në Kuvend të jenë të përfaqësuara edhe partitë më të vogla dhe nismat qytetare. Një takim tjetër i liderëve politikë pritet të ndodhë brenda ditësh, por pa praninë ndërkombëtare. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›