E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autobusë jashtë përdorimit, qarkullojnë nëpër kryeqytet

Autobusë të vjetër e të nxjerrë nga përdorimi në shtetet e tjera qarkullojnë nëpër kryeqytet. Përveç se nuk ofrojnë aspak komoditet për udhëtarët, konsiderohen edhe si ndotës të mëdhenj të ambientit. Komuna ka ndarë 50 mijë euro për blerjen e autobusëve, por me ato mjete nuk mund të blihen më shumë se dy autobus të rinj.

Të stërvjetëruar e të konsumuar, në gjendje të rëndë teknike dhe po thuajse të papërdorshëm qarkullojnë në trafikun urban të kryeqytetit.

Gjendja aktuale e tyre nuk i përmbush as për së afërmi nevojat e qytetarëve për lëvizje komode. Ata ankohen madje edhe për shërbime të dobëta.

Drejtori i Trafikut urban, Bekim Gashi, e di gjendjen e mjerueshme të autobusëve që qarkullojnë nëpër Prishtinë.

Drejtori tregon se asnjëherë nuk është blerë ndonjë autobus i ri, por të gjithë janë që në vendet e tjera kanë dalë nga përdorimi, raporton KTV.

Kjo gjë i ka kushtuar shumë kompanisë, ngase ka shpenzuar mjaft për mirëmbajtjen e tyre.

Përveç se nuk ofrojnë shërbim të mirë për pasagjerët, këta autobus janë edhe ndotës të mëdhenj të ambientit.

Në mbledhjen e fundit që ka mbajtur Kuvendi Komunal i Prishtinës ka ndarë një shumë prej 50 mijë eurosh për trafikun urban, për blerjen e autobusëve. Por me këto mjete nuk mund të blihen as dy autobus të rinj dhe për pasojë mund të blihen vetëm të vjetër.

Por drejtori i kompanisë së trafikut urban shpreson se qeveria japoneze gjatë vitit 2013 do ta realizojë premtimin për dhurimin e 30 autobusëve, cilësia e të cilëve është i nivelit evropian.

Derisa në Kosovë pranojmë autobusët e shkatërruar e të nxjerrë nga përdorimi, shtetet e zhvilluara po kërkojnë për alternativa të reja transporti siç është ky projekt i cili shumë shpejt edhe pritet të realizohet. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›