Kryeshefi i PTK-së në tubime të PDK-së

Nga: Fatos Shala
Se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kontrollon ndërmarrjet publike, dhe se në krye të tyre ka emëruar njerëz të parisë, shihet ashiqare edhe nga pjesëmarrja e tyre nëpër tubime partiake.
Në një tubim të tillë, të shtunën ka qenë i pranishëm edhe kryeshefi i ndërmarrjes me të madhe në vend Postes dhe Telekomit të Kosovës, Ejup Qerimi.
Derisa të shtunën votohej për organet dhe strukturat në degën e PDK-së, në Gjilan, aty është shfaqur edhe Qerimi.
Në disa fotografi të siguruara nga Indeksonline, ai shihet i ulur vetëm një ulëse mbrapa shefi të Partisë Demokratike te Kosovës, Hashim Thaçi.
Të pranishëm të shtunën në Gjilan kanë qenë 181 delegatë të Kuvendit të IV zgjedhor të degës së PDK-së.
Indeksonline ka kërkuar përgjigje për ketë çështje edhe nga vet kryeshefi Qerimi, dhe nga zyra për informim në PTK. Por, asnjëra palë nuk ka pranuar të flas për këtë rast.
Edhe në Partinë Demokratike të Kosovës nuk kanë dashur te flasin për ketë rast. Indeksonline ka tentuar te marr përgjigje nga përfaqësues te kësaj partie, por kjo ka qenë e pamundur.
Ejup Qerimi që nga viti 2002-2007 ka qenë këshilltar në Asamblenë komunale të Gjilanit nga radhët e Partisë demokratike të Kosovës.
Qerimi para së të vij në krye të PTK-së ka qenë anëtar Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës. Ai deri tani ka mbajtur të dy poste edhe pse ka pasur konflikt interesi. Për ketë punë Gjykata Komunale në Prishtinë në muajin tetor e ka dënuar me dy mijë euro.
Dorëheqjen e tij nga detyra në TRUST e ka bërë publike zyra për informim e këtij institucioni.
“Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) konfirmon se përfaqësuesi i deritanishëm i punëdhënësve në Bordin Udhëheqës të FKPK-së, z. Ejup Qerimi, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha detyrat, përgjegjësitë dhe obligimet që lidhen me pozitën e anëtarit në Bordin Udhëheqës. Qerimi e ka arsyetuar dorëheqjen e tij në respekt të vendimit të marrë nga Gjykata e Lartë për Kundërvajtje, lidhur me konfliktin potencial të interesit në mbajtjen e dy pozitave publike” thuhet në njoftimin e TRUST-it./Indeksonline/