E Shtunë, 31 Tetor 2026

Supremja refuzon ankesat për rastin e shpërthimit “Sekiraça bar”

Një Trup gjykues i përbërë prej tre gjykatësve të EULEX-it dhe dy gjykatësve të Kosovës, në Gjykatën Supreme ka refuzuar ankesat e paraqitura nga Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi për rastin e ashtuquajtur shpërthimi i bombës në Bulevardin Bill Klinton, apo i njohur ndryshe si qeshtja “Sekiraça bar”. Kjo është hera e dytë që Gjykata Supreme në cilësinë e instancës së shkallës së tretë ka refuzuar ankesat e paraqitura nga këta të pandehur.

Trupi gjykues i ka refuzuar si të pabaza ankesat e paraqitura nga Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi dhe ka mbështetur vendimin e mëparshëm të Gjykatës Supreme, e cila asokohe kishte vepruar si instancë e shkallës së dytë. Në atë kohë, Trupi gjykues nga Gjykata Supreme e kishte ndryshuar vendimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë për dënimin e të pandehurve për vepra penale të vrasjes së rëndë në bashkëpjesëmarrje dhe shkaktimit të lëndimeve të rënda trupore në bashkëpjesëmarrje.

Rasti ka të bëjë me shpërthimin që kishte ngjarë në katin përdhesë të ndërtesës e cila ndodhet në Bulevardin Bill Klinton, Lagja e Dardanisë në Prishtinë, më 24 shtator 2009. Nga pasojat e këtij shpërthimi kishin humbur jetën dy persona dhe disa persona ishin lënduar.

Rasti është ndjekur penalisht nga një prokuror i EULEX-it, i Zyrës së Prokurorit të Shtetit të Kosovës.
Besnik Hasani, pjesëtar i Njësisë speciale të Kosovës, dhe Shpend Qerimi, pjesëtar i Njësisë Antidrogë, akuzoheshin se më 24 shtatorit 2007, në lagjen “Dardania” në Prishtinë, kishin vënë eksploziv në lokalin e Enver Sekiraçës, ku pas shpërthimit patën humbur jetën dy persona dhe disa të tjerë qenë lënduar. Besohet se kjo u krye në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e policit Trium Riza, më 30 gusht të atij viti.

Besnik Hasani e Shpend Qerimi më 22 shtator të 2009, pas procesit gjyqësor, nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, janë shpallur fajtorë për vrasje të rëndë dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Të dy ish-policët u dënuan me nga 25 vjet burgim. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›