Kryesia e Kuvendit lajmëron mbledhjen e seancës së jashtëzakonshme

Tiranë, 15 Janar NOA Parlamenti paralajmëron
mbledhjen ditën e Hënë ora 17.00 të Kuvendit në një seancë të jashtëzakonshme për
të diskutuar për emergjencën humanitare në zonat e përmbytura në Shkodër dhe
Lezhë.
Këtë e konfirmuan për agjencinë NOA, burime
nga Kryesia e Parlamentit pas një mbledhjeje që u mbajt pasditen e sotme.
Kryetarja e Kuvendit ka konfirmuar zyrtarisht
se në seancën e parë të sesionit të dytë, që do të zhvillohet të Hënën ora
17.00, në rendin e ditës do të ketë debat mbi gjendjen e emergjencës civile në
Shkodër.
Më herët, Kryetarja e Kuvendit Jozefina
Topalli u kishte dërguar sot nga një letër secilit prej 64 deputeteve të
Partisë Socialiste duke i ftuar ata që të marrin pjesë në punimet e Kuvendit,
por njëkohësisht edhe duke i kujtuar se përfundimisht, 6 marsi 2010 është afati
i fundit i skadimit të mandateve të tyre dhe 4 marsi, shansi i fundit që ata të
futen në parlament.
Fillimisht në letrën që Topalli u ka duruar
secilit nga 64 deputetët e opozitës që qëndrojnë jashtë Parlamentit,
evidentohet fakti se më 7 shtator 2009, u mblodh në seancën e parë të sesionit
të parë, Kuvendi i Shqipërisë në Legjislaturën e 18-të.
Më tej Topalli kujton se në 17 seanca plenare
u miratuan 69 ligje dhe 20 vendime që i përkasin reformave të rëndësishme në
fushën ekonomike dhe fiskale, çështjet sociale si dhe kundër krimit të
organizuar dhe bashkëpunimit në çështje të sigurisë dhe drejtësisë.
Topalli thekson faktin se Kuvendi i zhvilloi
punimet pa praninë e opozitës dhe përmend se si kryetare e Kuvendit disa herë
ka bërë thirrje që çdo deputet i zgjedhur duhet të zërë vend në Kuvend dhe të
marrë pjesë në veprimtarinë e tij në përmbushje të detyrimit si përfaqësues i
zgjedhësve.
Në këtë pikë, Topalli nis të citojë
Kushtetutën e cila në nenin 71 pika 2 thotë se: Mandati i deputetit, mbaron ose
është i pavlefshëm, kur ai nuk bën betimin, ose kur mungon pa arsye për gjashtë
muaj rresht.
Në vijim të kësaj, Topalli thotë se më 6 mars,
mbushen gjashtë muaj nga mbledhja e Kuvendit në Legjislaturën e 18-të dhe pohon
se Kuvendi duhet të rimblidhet më 18 janar 2010.
Kurse rendit dhe datat e seancave parlamentare
të mëtejshme deri më 6 mars, të cilat janë 18, 21, 28 Janar, 4, 11, 18, 25
shkurt dhe 4 mars 2010.
Në këto rrethana ju njoftoj se në këto seanca
plenare ju keni mundësinë që të ndërprisni bojkotin dhe të mos lejoni mbarimin
e mandatit tuaj si për shkak të mosbërjes së betimit (neni 71, pika 2/a e
Kushtetutës), ashtu edhe për shkak të mospjesëmarrjes në punimet e Kuvendit për
gjashtë muaj rresht (neni 71, pika 2/d e Kushtetutës), - fton
kryeparlamentarja Topalli dhe përforcon: Me këtë letër ju ftoj me dëshirën më
të mirë që të merrni pjesë në punimet e Kuvendit dhe të përmbushni kështu
detyrimet tuaja kushtetuese.
v.l/NOA