Ministria e Jashtme përshëndet vendosjen e marrëdhënieve mes Kosovës e Malit të Zi

Tiranë, 15 janar NOA - Ministria e Punëve të
Jashtme përshëndeti sot nënshkrimin e aktit të vendosjes së marrëdhënieve
diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe e konsideron atë si
një hap të rëndësishëm, dhe një mesazh shumë të qartë për paqen,
stabilitetin dhe progresin në rajonin tonë.
Ministria e Punëve të Jashtme vlerësoi,
gjithashtu, se një hap i tillë do ti kontribuojë besimit më të mirë reciprok
dhe do të nxisë respektin e ndërsjellë midis këtyre dy vendeve fqinje, në
interes të të mirës së përbashkët, forcimit të stabilitetit rajonal, dhe në
realizimin e shpejtë të qëllimeve të përbashkëta evropiane e euroatlantike.
Ministria e Punëve të Jashtme deklaroi se
është e bindur se vendosja e marrëdhënieve diplomatike të Republikës së Kosovës
me vendet e rajonit është dëshmi e përparimit të saj në ndërtimin e shoqërisë
demokratike dhe të shtetit ligjor, si dhe shprehje e mentalitetit të ri të
rajonit tonë, i orientuar drejt së ardhmes së përbashkët euroatlantike.
k.k/NOA