Topalli dhe krerët e komunave të Tiranës, ndihma për banorët e përmbytur
Shkodër, 15 Janar NOA - Në mbështetje të
aksionit humanitar në zonat e përmbytura në Shkodër kanë ardhur edhe komunat e
qarkut të Tiranës si dhe komunat e Tetovës.
Kryetarët e këtyre komunave së bashku me
Kryetaren e Kuvendit dhe deputetë të qarkut Tiranë, shpërndanë sot në Fshatin e
Ri në Bushat dhe në Malin e Jushit, veshje, batanije, mushama, ujë e ushqime
për banorët dhe për gjënë e gjallë.
Në këto zona situata është përmirësuar, por
ende ka hektarë të tërë të mbuluar nga uji.
Kryetarja e Kuvendit tha se situata do të vazhdojë
të ndiqet orë pas ore dhe se ndihma e mbështetja do të vijojë deri sa gjendja
të kapërcehet plotësisht.
Topalli falënderoi të gjithë kryetarët e
komunave të Farkës, të Bërzhitës, Petrelës e komunave të tjera që kanë ndihmuar
e mbështetur banorët e këtyre zonave në këto momente të vështira.
Në takimet me banorët, ata thanë se shtabi i
emergjencës, pushteti lokal deputetët kanë qenë çdo ditë me ta dhe se
mbështetja dhe ndihma në veshje, ujë e ushqime nuk u ka munguar asnjë ditë.
r.d/NOA