Kryesia e LSI propozon me unanimitet ndryshime në qeveri

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta në një deklaratë për mediat dje propozoi disa ndryshime në postet ministrore të LSI-së në kabinet, për shkak të përgatitjeve për konventën kombëtare të LSI-së.
Sipas kreut të LSI-së, Petrit Vasili dorëhiqet nga posti i Ministrit të Shëndetësisë për shkak të angazhimit të tij si kryetar i komitetit organizator për të përgatitur konventën e LSI-së. Në vend të tij LSI ka vendosur që Vangjel Tavo të propozohet në detyrën e Ministrit të Shëndetësisë, ndërsa Nasip Naço propozohet nënkryetar i Kuvendit. Edmond Haxhinasto propozohet si Ministër i Ekonomisë, i cili do vijojë të mbajë edhe postin e zëvendëskryeministrit, ndërkohë që Edmond Panariti propozohet ministër i Punëve të jashtme.
“Petrit Vasili ofroi dorëheqjen e tij nga detyra aktuale që ka mbajtur, e ministrit të Shëndetësisë, detyrë, të cilën ai e ka kryer me përkushtim të plotë dhe profesionalizëm të lartë, pavarësisht nga sfidat dhe vështirësitë me të cilat është ndeshur dhe ndeshet ky sektor tepër jetik. Në vijim të këtij ndryshimi, Lëvizja Socialiste për Integrim vendosi që zoti Vangel Tavo, aktualisht nënkryetar i Kuvendit, të propozohet në detyrën e ministrit të Shëndetësisë. Njëkohësisht, Nasip Naço, aktualisht ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të propozohet për detyrën e nënkryetarit e Kuvendit. Zoti Edmond Haxhinasto, aktualisht Zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të vijojë të jetë zëvendëskryeministër, por njëkohësisht edhe ministër i Ekonomisë, Energjisë dhe Tregtisë. Dhe Prof. Dr. Edmond Panariti aktualisht nënkryetar i Bashkisë së Tiranës propozohet për ministër i Punëve të Jashtme. Natyrisht që do të ketë dhe zhvillime të tjera të cilat do t’i bëjmë të ditura në javët e ardhshme”, u shpreh Meta.
Kreu i LSI, njoftoi edhe thirrjen e konventës kombëtare zgjedhore të LSI-së më 29-30 shtator., ndërkohë që më 22 shtator të gjithë anëtarët e LSI-së do të votojnë për kryetarin e ardhshëm të kësaj force politike, ku kandidat për kryetar është vetë kreu aktual Ilir Meta, por njëkohësisht edhe zgjedhja e delegatëve të konventës së fund shtatorit.
“Pas mbledhjes së Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, që u zhvillua sot në mbrëmje, dua të bëj të ditur se vendimi kryesor i kësaj mbledhje është thirrja e Konventës Kombëtare Zgjedhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim më 29-30 shtator, si vendim i parë. Së dyti vendosja e 22 shtatorit si data kur të gjithë anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim do të votojnë sipas parimit ‘Një anëtar, një votë’ për kryetarin a ardhshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe njëkohësisht edhe për zgjedhjen e delegatëve për në Konventën e 29-30 shtatorit, po sipas këtij parimi. Njëkohësisht Kryesia shndërrohet në Komitet Organizator dhe është ky Komitet i cili do të drejtojë të gjithë përgatitjet për Konventën Kombëtare Zgjedhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të gjithë debatin dhe ndryshimet në programin dhe në statutin. Do të bëjë regjistrimin e kandidatëve për kryetarë por njëkohësisht edhe detajimin dhe përcaktimin e procedurave për zgjedhjen e të gjithë delegatëve dhe forumeve të tjera nga Konventa Zgjedhore e LSI-së. Me unanimitet Kryesia vendosi që në krye të këtij Komiteti Organizator, kryetari i tij, të jetë Petrit Vasili”, deklaroi më tej, Ilir Meta.