Letra e ODIHR: Teknologjia elektronike të futet gradualisht

Bylykbashi: PS erdhi në tryezë me platformën e bllokimit
Në një reagim të menjëhershëm disa orë nga rinisja me bllokim e komisionit për reformën zgjedhore, OSBE/ODIHR rrëzon pretendimin e socialistëve, teksa e konsideron të panevojshëm vonesën e punës për mungesë komentesh me shkrim. Organizata që vëzhgon zgjedhjet në Shqipëri dhe po asiston me kërkesën e të dy palëve reformën zgjedhore, nuk tërhiqet nga qëndrimi i shprehur prej disa javësh kundër përdorimit të numërimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme si i pasigurt dhe i rrezikshëm për standardet e procesit.
Këtë fakt OSBE/ODIHR e ka konfirmuar në një letër dërguar dy bashkëkryetarëve të Komisionit Parlamentar për reformën zgjedhore, eksperti demokrat i reformës zgjedhore Oerd Bylykbashi. Ky reagim i shpejtë i ODIHR sipas Bylykbashit është mjaft i qartë, ai nuk mund të përdoret nga PS për bllokim.
“Janë 3 javë që janë të mjaftueshme për të bërë punën, por janë 3 jashtë totalisht të pamjaftueshme nëse PS do e bllokojë. Zgjatja e mandatit u bë me qëllim finalizimin e reformës me konsensusin e palëve. Komisioni nuk funksionon që secili të marrë vendimin në anën e vet, vendimmarrja është e të dy krahëve. Ajo që kërkon pak punë, duke udhëhequr me përpikëri rekomandimet e ODIHR, është pjesa e teknologjisë, qoftë për votimin ashtu dhe numërimin. Letra e OSBE/ODIHR-it thotë shumë qartë se komentet janë ato që janë bërë në vazhdimësi. Është e rëndësishme për të qartësuar se komentet me shkrim, nuk do të ndryshojnë nga ato që janë detajuar nga misioni i ODIHR. Përdorimi i teknologjive të reja në numërim, duhet të futet në mënyrë graduale, në mënyrë të kujdesshme dhe në kohën e duhur. Kjo është pjesa më e rëndësishme, pas asaj që është thënë edhe më herët. Është e kotë që t’i themi publikut se do të vonojmë komisionin derisa të na vijnë komentet”, tha Bylykbashi.
Për ekspertin demokrat, ODIHR ka theksuar disa herë se, komentet nuk kanë të bëjnë me nene specifike, apo saktësim gjuhe, janë nene parimi sepse teknologjia duhet të futet graduale, me një udhërrëfyes të qartë, duhet bërë nëpërmjet një projekti pilot (rreth 10 për qind të vendit) dhe rezultatet e këtij projekti duhet të vlerësohen më pas për përshtatshmëri në të ardhmen.
“Këto nuk kanë të bëjnë me detaje, por janë kritika principi. Komente që janë të domosdoshme. Nëse ne i neglizhojmë këto, jam i sigurtë që raporti i ardhshëm i ODIHR do jetë me shumë kritika. OSBE shprehet se do të ishte për të ardhur keq nëse komisioni do të vonohej në pritje të komenteve me shkrim”, tha ai.
Lidhur me përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një tjetër çështje e nxehtë në diskutim, Bylykbashi thekson se asnjë nga formulat e PS-së nuk garanton pavarësinë që ajo kërkon, pa një ligj të mirë, pasi nuk garanci që edhe kryetari të mos përdorej politikisht nga do që të vijë ai.
“PS deklaroi se nuk kishte ndërmend të hiqet dorë nga komisionet politike në të gjithë nivelet. Ne ishim gati për refrimim të administratës. PS bëri bllof kur pretendoi sjelljen e të shtatit në komision. Zgjidhja për KQZ është procedura e detajuar në ligj që heqin mundësinë e anëtarëve të KQZ-së për sjellje partizën, kur shkelin detyrën, ata dalin para ligjit”, tha Bylykbashi.
Sa për hapjen e materialeve zgjedhore Bylykbashi thekson se PS po rikërkon një kauzë të humbur me turp në gjykatë.
PD sqaron dhe një herë se nuk hedh plotësisht poshtë hapjen e materialeve kur dy anëtarët e kërkojnë atë, mjafton që indiciet e provat të jenë të qarta
“Është vetëm një rikonfirmim i tezës ë humbur para gjykatës për hapjen totale, duan të sjellin në mënyrë ligjore një kauzë të humbur. Është vetëm një plan B për të garantuar planin A”, theksoi Bylykbashi.
Bashkë-hartuesi i reformës zgjedhore, u shpreh dhe një herë se PD nuk ka ndërmend të ndryshojë asgjë më shumë se sa ODIHR ka rekomanduar për reformën zgjedhore në Shqipëri; mbi këtë mandat është ngritur Komisioni i Reformës Zgjedhore, bazuar në marrëveshjen e 14 nëntorit, 2011 mes demokratëve dhe socialistëve.