E Diel, 1 Nëntor 2026

“Në PS nuk mund të flitet më për garë demokratike”

23-06-2012 / Gazeta 55

Reagimi i deputetit Arben Malaj

Anëtari i kryesisë Arben Malaj, duke komentuar problemet e FRESSH në veçanti dhe të Partisë Socialiste në përgjithësi flet për një deformim të votës së të rinjve. Malaj thotë se ai personalisht, por edhe shumë përfaqësues të PS mbështesin inkurajimin e të rinjve në përfaqësimin e tyre në një karrierë sa më të suksesshme.
Sipas tij, konkurrimet e të rinjve nuk duhet të deformohen nga preferencat individuale të askujt.
“Zhvillimet e fundit në forumin rinorë të PS, meritojnë vëmendje dhe dashamirësi.
Të rinjtë duhen motivuar, inspiruar dhe mbështetur për një karrierë sa më të suksesshme dhe të merituar. Konkurrimet e tyre në nivel Komune, Bashkie, Rrethi, Qarku dhe nivel kombëtarë nuk duhet të deformohen nga preferencat individuale të askujt.
Kandidatët për mandate drejtuese në çdo nivel duhet të votohen në një gare serioze dhe sipas rregullave dhe proceseve transparente dhe të monitorueshëm. Numërimi i votave duhet të bëhet nga përfaqësuesit e të rinjve dhe jo nga komisione me të preferuar individual jashtë strukturave të të rinjve. Të rinjtë në proces konkurrimi duhet të kenë të drejtën të lexojnë dhe verifikojnë votat mbështetëse. Postet drejtuese të stafeve rinore pas zgjedhjes së kryetarit në çdo nivel deri tek kryetari i Asamblesë Kombëtare të Forumit Rinorë duhet të përzgjidhen me gare dhe jo me emërime të parapërcaktuara.
Modeli i konkurrimit dhe garave përzgjedhëse dhe sistemi i karrierës qe u afrohet të rinjve do të përcaktoj sjelljen dhe kulturën e tyre politike për një kohe të gjatë dhe do të ndikojë në të ardhmen jo pak cilësinë e partive politike dhe të qeverisjes së vendit.
Ndaj përgjegjësia për modelin e kontributeve dhe të karrierës së tyre politike dhe profesionale duhet të jetë maksimale në shërbim të sfidave të FRESSH, PS dhe të vendit.
E kam mbështetur procesin e konkurrimit me disa kandidatë dhe përball të rinjve në çdo rreth të vendit, ndaj mendoj se ky proces nuk duhet cenuar dhe deformuar në fazat e tij të fundit. Të rinjtë duhet të jenë më kërkues ndaj vetvetes dhe përball të tjerëve në angazhimin e tyre për të kontribuar dhe për të merituar një karrierë në rritje.
FRESSH duhet të rilind meritokracinë, përkushtimin, duke ndaluar që në embrion tendencat e riorganizimeve të imponuara jashtë sistemit të vlerave dhe konkurrimit”, shprehet deputeti socialist, Arben Malaj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›