E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salaj: Lokalet e natës të largohen nga zonat e banuara

Mendoj se me kalimin e kohës dhe me këmbënguljen e qytetarëve, klubet e natës do të shpërngulen në periferi, apo në zona të dëfrimit brenda qytetit

Boritë e makinave  do rreshtin kur trafiku të jetë më pak i ngarkuar.

Shqetësimit të qytetarëve për nivelin e lartë të zhurmave, iu janë shtuar edhe njerëzit e medias. Blendi Salaj, pedagog dhe analist politik, në reagimin e tij për ndotjen akustike në Tiranë shprehet se për të eliminuar këtë fenomen duhet të ndiqen modelet e disa vendeve të tjera që e kanë pasur si shqetësim para vendit tonë. Sipas tij, një zgjidhje logjike do të ishte largimi i lokaleve të natës nga zonat e banuara dhe krijimi i disa zonave të veçanta për këtë veprimtari. Salaj shprehet se duhet të ketë një "distrikt dëfrimi", për të krijuar një model si në disa vende të tjera.
Si e shihni problemin e ngritur nga gazeta "Shekulli", për shqetësimin e banorëve nga niveli i lartë i zhurmave, krijuar si nga lokalet e natës ashtu dhe nga qarkullimi i dendur i makinave?
Mua realisht më vjen shumë mirë që "Shekulli" vendosi të merrej dhe po këmbëngul ta çojë drejt zgjidhjes këtë problem. Jo vetëm sepse është i rëndësishëm por edhe pse paraqet një model ku një media arrin ta kthejë një shqetësim qytetar në një debat të gjerë publik. Mendoni sikur i njëjti zell të aplikohet edhe për shqetësime dhe padrejtësi të tjera. Do të ishte shumë mirë, ju përgëzoj. Në Tiranë zhurma është vërtet e llahtarshme. Jo vetëm lokalet dhe makinat, por edhe ndërtimet, gjeneratorët dhe pompat e ujit. Unë banoj në një zonë relativisht të qetë, pa  muzikë të lartë e pa ndërtime të reja, por kam disa pompa uji që kur ndizen bëjnë të dridhet njëri mur i apartamentit, e për këtë as "Shekulli" nuk më ndihmon dot. Një natë qëllova në ballkon kur komshinjtë e pallatit pas nesh fikën pompën, vetëm në atë moment, kur ra qetësia e plotë, kuptova sesa shumë po më shqetësonte ajo zhurmë. Për shkak se jemi të rrethuar nga zhurma çdo ditë, jemi mësuar ta injorojmë, por kam përshtypjen se na e godet pa pushim sistemin nervor, e për rrjedhojë na bën më nevrikë, më të paqetë. Unë shfrytëzoj çdo rast për tu larguar nga Tirana, edhe në ndonjë fshat këtu afër, thjesht që të më bien veshët rehat.

A mendoni se kjo është një shkelje e jetës private, rrjedhimisht edhe një shkelje e të drejtave të njeriut?
Nuk di ta them me siguri këtë. Kjo puna e zhurmave është dhunim i jetës qytetare, është shprehje e papërgjegjshmërisë së shoqërisë dhe shtetit. Eshtë mungesë respekti për jetën e tjetrit, për të drejtën e tij që të punojë dhe flejë i qetë. Kjo dhunë akustike është ilustrim i moskokëçarjes sonë, dhe e thënë troç, e mungesës së civilizimit ndër ne. Është njësoj si me plehrat, që i flakim nga ballkoni. Një ditë pashë një vajzë të vogël me bishtaleca dhe kordele rozë, përdore me prindërit. E kishin veshur si princeshë të vogël, dukej se ishin mirë ekonomikisht. Vogëlushja zhveshi ambalazhin e një çokollate dhe e flaku në rrugë. Prindërit nuk reaguan aspak. Më bëri shumë përshtypje, dukeshin si njerëz qyteti, por nuk ishin. Ç'ka të bëjë kjo me zhurmat?, epo ka. Se është mungesa e respektit për të përbashkëtën, për publiken, për tjetrin. Nuk dua të shkoj deri tek "Shkelje e të drejtave të njeriut" pasi nuk dua ta konsumoj aq lehtë këtë term. Dua ta ruaj për rastet kur njeriu nuk gjen drejtësi, kur i vidhet pasuria apo i mohohet e drejta e punës për arsye politike. Dua që të mendoj se "Shkelje të të drejtave të njeriut" është kur fëmijët shesin cigare për të mbajtur frymën gjallë, apo kur prindërit e rinj duhet të paguajnë me ryshfet mjekun gjinekolog, në mënyrë që foshnja e parë t'iu lindë normalisht.

A mund të na tregoni se si është zgjidhur eliminimi i zhurmave në disa shtete të tjera?
Normalisht, edhe në vende të tjera ka zhurmë, por jo kaq sa ne. Para disa ditësh mësova se Bashkia e Madridit ka vendosur të mos lejojë më automjete në qendrën e qytetit pasi ndotja është mbi normat e BE-së. Dhe nuk bëhet fjalë për një shesh a për një rrugë, por për një qendër të madhe, me blloqe të tërë. Bota i zgjidh këto me rregulla, në Amerikë quhen By-laës, janë ligje që i nxjerr pushteti lokal, për të rregulluar jetën qytetare sipas nevojave të banorëve. Qytetet janë të ndarë me zona. Ka zona rezidenciale ku nuk lejohet të hapësh asnjë lloj aktiviteti komercial, asnjë minimarket, jo më klube nate. Ka zona të tjera ku zhvillohet aktiviteti tregtar, e të tjera ku dëfrehet. E kuptoj që në rastin e Tiranës kjo nuk është e mundur, pasi zhvillimi ka qenë i vrullshëm dhe rregullat mungonin, e kulturën e sipërmarrjes së lirë e kemi pasur me pikatore. Ndaj e gjejmë veten në këtë situatë. Por mendoj se me kalimin e kohës dhe me këmbënguljen e qytetarëve, klubet e natës do të shpërngulen në periferi, apo në zona të dëfrimit brenda qytetit. Sa për boritë e makinave, ato do rreshtin kur trafiku të jetë më pak i ngarkuar.
 

Si mendoni, si mund të zgjidhet ky problem. A mund të propozoni një model për zgjidhje të situatës?
Mjaft të marrim shembullin e atyre që i kanë vuajtur këto shqetësime para nesh. Zgjidhja që duket më logjike dhe që po dëgjoj të propozohet më shpesh është largimi i klubeve të natës nga zonat e banuara. Do më pëlqente që Tirana të kishte një "distrikt dëfrimi" siç është "The Village" në Manhattan apo "The French Quarter" në New Orleans, ju jap shembuj amerikanë jo për ta hiperbolizuar, por sepse Evropën e njoh më pak. Lagjet që ju përmenda janë brenda qyteteve por janë përcaktuar si vende ku njerëzit shkojnë të hanë, të pinë dhe të dëfrejnë. Janë të mbushura me pub-e e me club-e dhe rrugët janë plot me njerëz deri në agim. Në këtë mënyrë, kush vendos të jetojë në këto lagje e di mirë se atje muzika nuk pushon, ama pjesa tjetër e qytetit, blloqet rezidenciale, me të rënë mbrëmja kridhen në qetësi familjare. Pra ndarja e lagjeve  është sipas funksioneve. Kjo më duket më e udhës. Duhet të kemi zona komerciale, me zyra e me rrokaqiej, zona rezidenciale, me gjelbërim, kënde lojërash, parqe dhe qetësi, dhe zona të përcaktuara për dëfrim, ku njerëzit të mund të harbohen lirisht. Tani këto i kemi përzierë si mos më keq, ndaj "na u çanë veshët".

///////
Në një pallat që ka një lokal në katin poshtë, jetojnë familjarë apo dhe njerëz të sëmurë, që nuk i durojnë zhurmat e larta
"Lokalet të investojnë për izolimin akustik"
Qytetarët japin disa mendime për të mos lejuar lokalet e natës të krijojnë zhurmë nga muzika e lartë. Banorët nuk kërkojnë mbylljen plotësisht të lokaleve, por kërkojnë që për të ushtruar veprimtarinë e tyre duhet të investojnë për izolimin akustik. Nëse një gjë e tillë realizohet, atëherë mund të shmangen edhe zhurmat shqetësuese që vijnë kryesisht nga lokalet që ushtrojnë aktivitet gjatë natës. Por në mungesë të izolimit akustik, një pjesë e banorëve shprehen se lokalet që duan të punojnë edhe gjatë natës, mund të ndërtohen edhe në periferi, larg qendrave të banuara.
A ka zhurma që ju shqetësojnë në lagjen ku banoni?
Ku banoj unë afër meje nuk është se ka  shumë zhurma, po në përgjithësi janë shqetësuese. Dihet tashmë që këtu tek ne zhurmat janë të bezdisshme për qytetarët.
Në çfarë mënyre duhet të ulet niveli i lartë i zhurmave?
Duhet të merren masa  për lokalet e natës që krijojnë zhurma të bezdisshme për banorët. Një tjetër mënyrë për të eliminuar nivelin e lartë të zhurmave është edhe izolimi akustik që duhet të përdorin lokalet, sepse edhe të rinjtë që marrin pjesë aty duan që të argëtohen. Por nuk duhet të harrojmë që në një pallat që ka një lokal në katin poshtë, jetojnë familjarë apo dhe njerëz të sëmurë, që nuk i durojnë zhurmat e larta. Po, në qoftë se lokalet investojnë për izolimin akustik, atëherë problemi zgjidhet.  
Mund të ndërtohen në periferi lokalet e natës?
Vetëm në periferi të ndërtohen, pasi qyteti është qytet. Kush shkon për qejf shkon  larg, se ai që shkon për qejf ka dhe makinën, ka dhe mjetet dhe e përballon atë pjesë rruge që do të shkojë.
    /////////////////
Petrit Doma,  Rruga "Pjetër Budi"
"Lokalet e natës të ndërtohen larg qendrave të banuara"
  A  ka zhurma që ju shqetësojnë në lagjen ku banoni?
Unë jetoj përkohësisht në "Qytetin Studenti" dhe  janë pab-et e natës që krijojnë shumë zhurma të bezdisshme për banorët.
Prej sa kohësh vazhdon ky shqetësim?  
Zhurmat rriten kur  vijnë studentët.
Muzika e lartë ju shqetëson edhe gjatë natës?  
Gjatë natës nuk ndihet shumë aty te ne, por edhe ditën ka shumë zhurma
  Po nga qarkullimi i makinave krijohen zhurma ?
  Makinat si gjithë andej, lëvizin pambarim dhe detyrimisht krijojnë zhurma
 
Si mendoni ju, si duhet të zgjidhet ky problem?
Të ketë një kufizim orari edhe për qarkullimin e makinave. Në atë zonën tonë nuk ke as ku të parkosh, dhe makinat vazhdojnë sjellin shqetësime natën dhe ditën. 
A jeni dakord që lokalet e natës të ndërtohen në periferi?
Patjetër, qejfi është qejf. Ai që ka dëshirë të argëtohet të shkojë pak më larg.

////////////////////
 Të gjitha policitë që kemi  janë për të ruajtur rendin, për të ruajtur qetësinë e qytetarëve
 "Lokalet të gjobiten kur shkaktojnë zhurma"
 Në opinionet e tyre për ndotjen akustike, banorët e kryeqytetit shprehen, se ndërhyrja e policisë duhet të jetë më e shpeshtë, për të ndëshkuar të gjithë ato biznese që krijojnë zhurma të bezdisshme për banorët. "Një orar i pranuar për punën e lokaleve është dhe ora 00.00 dhe nëse vazhdojnë të punojnë edhe pas kësaj ore, atëherë duhet të ndëshkohen me gjoba nga autoritetet përgjegjëse. Por edhe ndërtimi i diskove në bodrume të thella do të ishte një zgjidhje" shprehet një banor që jeton në Rrugën "Muhamet Gjollesha".
A shqetësoheni nga zhurmat?
Aty nuk ka se unë banoj në një lagje të qetë në përgjithësi
Po gjatë verës ka pasur zhurma?
As gjatë verës nuk ka pasur në atë zonë ku jam unë. Natyrisht që janë të dëmshme për ato që i kanë në katet e para , në katet e dyta dhe duhet një farë kufizimi. Mendoj se është në rregull që deri në orën dymbëdhjetë  të natës të vazhdojnë, pas dymbëdhjetës ta ndërpresin. Është mëse normale deri në këtë orë.
Si mund të zgjidhet problemi i zhurmave?
Ne si shtet kemi lloj-lloj policish . Të gjitha policitë që kemi  janë për të ruajtur rendin, për të ruajtur qetësinë e qytetarëve. Në këtë rast, për të shmangur zhurmat e larta,  policia mund të marrë një kompetencë që pas orës 00.00  të gjobisë lokalet , siç i ka gjobitur dhe ma merr mendja se s'ka pse të mos funksionojë. Ndërsa mund të ketë vende që janë në bodrume të thella që nuk dëgjohen jashtë, ata mund të vazhdojnë, mund të punojnë  sa të duan.
Jeni dakord me opinionin e qytetarëve, që lokalet e natës të ndërtohen në periferi?
Po dakord jam me atë, po është problemi se në periferi kush shkon, është larg. Rinia të marri rrugën poshtë e përpjetë. Edhe në qytet deri në orën 00.00, unë jam plotësisht dakord, që lokalet të punojnë.  
  ////////////////////
 

Emri:  Ibrahim Belba        Banimi: Vaqarr 
Unë banoj në periferi të Tiranës dhe mendoj se për të zgjidhur problemin e zhurmave ka disa mënyra. Policët Bashkiake janë të pa armatosur. Në radhë të parë ata nuk mbrojnë veten e tyre dhe jo më pas të kujdesin për qytetarët.  Shteti jonë nuk e luan rolin ashtu siç duhet. Ne jemi pa rregullator. Një zgjidhje tjetër efikase, për të ulur nivelin e lartë të zhurmave është dhe ndërtimi i lokaleve të natës në periferi. Larg qendrave të mëdha të banimit, sepse do qetësi njeriu.

//////
Miranda, "Rruga Myslym Shyri"
 
Si duhet të zgjidhet problemi i zhurmave?
 
Është e vërtetë që zhurmat janë kthyer në një shqetësim për banorët. Duhet që të gjitha organet kompetente të ndërhyjnë për të zgjidhur këtë problem. Institucionet duhet të bashkërendohen në veprimet e tyre që të eliminojnë nivelin e lartë të zhurmave. Një zgjidhje e mirë do të ishte që lokalet e natës, të ndërtohen në periferi, pasi brenda qytetit shtëpitë janë shumë afër njëra-tjetrës dhe preken shumë banorë nga ky problem. Lokalet në shumë raste ndodhen në katet e para të pallateve dhe pranë shtëpive të banimit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›