Kryesia e PDK-së i beson drejtësisë

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) shpreh shqetësim me rastin arrestimit të ish pjesëtarëve të UÇK-së nga policia e EULEX-it, duke i konsideruar këto veprime si vazhdë e përpjekjeve për denigrimin, njollosjen dhe komprometimin e kësaj lëvizjeje politiko ushtarake, që mbrojti popullatën e Kosovës në vitet 1998 - 1999.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar luftë të drejtë dhe mbrojtëse, duke gjetur mbështetje politike në qendrat e demokracisë perëndimore, që rezultoi me angazhimin e Aleancës Veriatlatike, NATO-s, kundër caqeve të policisë, ushtrisë dhe forcave paramilitare serbe më 1999”.
“Arrestimi i ish pjesëtarëve të UÇK-së pas 12 vjetësh të çlirimit të Kosovës është përpjekje për të përmbushur qëllimet e politikës së Beogradit, e cila nuk pajtohet në asnjë rrethanë me humbjen e Kosovës, me lirinë dhe pavarësinë e shtetit më të ri në Evropë”.
Kryesia e PDK-së beson në pafajësinë e ish pjesëtarëve të UÇK-së dhe këto arrestime i konsideron si përpjekje për t`i njollosur dhe zbehur vlerat e UÇK-së.