E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryesia e PS e miraton: Ja plani i organizimit të fushatës elektorale

Nga L.Progni

Kryesia e PS miratoi dje draftin e paraqitur nga shtabi qendror elektoral për organizimin e partisë në zgjedhjet e vitit 2009. Veç ndarjes së detyrave të të gjithë të zgjedhurve të PS nga qendra deri në bazë, porosi e veçantë i jepet secilit zyrtar të merret me organizimin në mënyrë specifike në funksion të afrimit të elektoratit gri pranë PS. Këtë do ta realizojnë të ngarkuarit në çdo organizate në bazë të detyrave të ndara në shtabin elektoral të qarkut. Ata do të kenë në patronazh një numër të caktuar individësh, për të cilët do të përgjigjen deri në momentin e votimit në ditën e zgjedhjeve.

Në mbledhjen e djeshme të Kryesisë është diskutuar edhe për programin elektoral të kësaj partie, ku dhe është theksuar se duhet ecur me hapa më të shpejtë drejt finalizimit të këtij programi. Zëdhënësja e kryesisë së PS, Mimi Kodheli, tha dje pas mbledhjes së Kryesisë se u diskutua dhe u ra dakord për miratimin e strategjisë së paraqitur nga shtabi elektoral për organizimin e partisë në zgjedhje, për programin e partisë, si dhe për mbështetjen që Kryesia i dha grupit parlamentar në finalizimin e reformës zgjedhore. Draft-strategjia e shtabit elektoral është kaluar pa debate nga Kryesia e PS dhe më pas do të jetë Asambleja Kombëtare e kësaj partie, e cila do të miratojë këtë projekt të fushatës elektorale të PS. Asambleja Kombëtare pritet të mblidhet së shpejti për të miratuar një sërë hapash politikë që kjo parti do të ndërmarrë në funksion të fushatës elektorale të zgjedhjeve të viti 2009.

“Sot është mbledhur Kryesia e PSSH, për të diskutuar në lidhje me përgatitjen dhe organizimin elektoral në prag të procesit të pritshëm zgjedhor.

Një prej çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme, ka qenë mënyra e funksionit të strukturave të PS në nivel qendror dhe vendor, për të kaluar me sukses sfidën që lidhet me zgjedhjet e ardhshme në vend.

Sekretariati i PS dhe anëtarët e Kryesisë së PS kanë marrë një angazhim të plotë politik, për të drejtuar këtë proces të rëndësishëm të muajve të ardhshëm. Në të njëjtën kohë Kryesia e PS është e përqendruar edhe te programi qeverisës, që do të finalizohet në javët në vijim, i cili më pas do të diskutohet gjerësisht me grupet e interesit dhe publikun.

Kryesia e PS e vlerëson këtë program si një risi në politikëbërjen shqiptare, ku për herë të parë një forcë politike në opozitë punon së bashku me qytetarët, për t'u ofruar një zgjidhje konkrete problemeve dhe shqetësimeve të përditshme.

Kryesia e PSSH i vlerësoi pozitivisht dhe i dha mbështetjen maksimale për propozimet e parashtruara gjatë mbledhjes së sotme në lidhje me organizmin elektoral të muajve të ardhshëm. Po ashtu, duke i dhënë rëndësi maksimale krijimit të të gjitha kushteve të nevojshme për të pasur një proces normal, demokratik zgjedhor, Kryesia e PS i ofroi mbështetje të plotë grupit parlamentar dhe përfaqësuesve të PS në Kuvend, për të përfunduar me sukses reformën zgjedhore, të cilën PS e konsideron prioritetin e axhendës së saj parlamentare”, - tha Kodheli.

Drafti i organizimit elektoral të PS për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009

Manuali i punës së kryetarit të PS në bashki

Shtabi i organizimit elektoral në rreth përbëhet nga anëtari i Kryesisë i PSSH, i cili është drejtues i shtabit elektoral të rrethit, sekretari rajonal, një anëtar i Këshillit socialist të rrethit, kryetari socialist i një njësie vendore, krye-koordinatori i komunikimit me kryetarët e PS të bashkive/komunave, koordinator i organizimit elektoral të OS, koordinator për bordet e dialogut qytetar, koordinator për organizimin e vullnetarëve etj.

Detyrat e shtabit të organizimit elektoral në rreth

Drejton/koordinon veprimtarinë e organizimit elektoral në nivel rrethi, harton hartën elektorale të rrethit, përcakton komunitetet kryesore në rreth,

analizon situatën e partisë në nivel rrethi, bashkie/komune dhe OS merr masa për përmirësimin e gjendjes dhe plotësimin e strukturave drejtuese të partisë, propozon eventualisht (në rastin kur ka nevojë për vendimmarrje të forumeve më të larta) masa përmirësuese, përcakton zonat problematike dhe masat që duhen marrë për kapërcimin e situatës, ndjek dhe koordinon zbatimin e të gjithë detyrave që ngarkohen nga shtabi qendror për rrethin, ndjek ngritjen dhe koordinon aktivitetin e bordeve të dialogut qytetar në bashkitë e rrethit, ndjek ngritjen dhe koordinon aktivitetin e grupeve për organizimin e vullnetarëve në bashki/komunë e OS, ndjek ngritjen dhe koordinon aktivitetin e grupeve të komunikimit mediatik në bashki/komunë e OS, ndjek ngritjen dhe koordinon aktivitetin e grupeve për organizmin e personave me eksperiencë drejtimi në bashki/komunë e OS, ndjek ngritjen dhe koordinon aktivitetin e grupeve për organizimin e veteranëve në bashki/komunë e OS.

Ndërtimi i sistemit të patronazhit

Sistemi i patronazhit nënkupton që çdo anëtar i Partisë Socialiste në çdo organizatë që mbulon një qendër votimi bëhet përgjegjës për një territor gjeografik të qendrës së votimit, pra dhe të zgjedhësve që i përkasin këtij territori. Të jesh përgjegjës për një numër zgjedhësish që i përkasin një qendre votimi, do të thotë që të realizosh identifikimin e mënyrës se si ata votojnë (shih pikën 2); të punosh me mbështetësit për t’i bërë pjesë aktive të fushatës së PS; të punosh me të lëkundurit dhe abstenuesit për t’i bindur që të votojnë për Partinë Socialiste; dhe ditën e zgjedhjeve të “nxjerrësh nga shtëpia” për të votuar ata zgjedhës nën përgjegjësinë tënde që janë të sigurt se votojnë për Partinë Socialiste. identifikimi për çdo zgjedhës të listës së qendrës së votimit që mbulon organizata se për cilën forcë politike voton; identifikimi i zgjedhësve të lëkundur (që nuk kanë vendosur se për cilën forcë politike do të votojnë); identifikimi i zgjedhësve që nuk shkojnë të votojnë ditën e zgjedhjeve;

identifikimi i mbështetësve të Partisë Socialiste në qendrën e votimit që mbulon organizata.

Puna me votuesit e lëkundur dhe abstenuesit

Votues të lëkundur janë ata që në zgjedhje të ndryshme kanë votuar për parti të ndryshme politike. Abstenues janë votuesit që nuk shkojnë të votojnë ditën e zgjedhjeve.

Mbështetësit e PS

Mbështetës të PS në një qendër votimi janë ata zgjedhës që janë votues të sigurt të PS, por që për arsye nga më të ndryshmet nuk preferojnë të jenë anëtarë të forcës sonë politike.

Ndërtimi i bërthamës me të rinj në çdo qendër votimi

Në çdo qendër votimi ne duhet të kemi identifikuar dhe afruar një numër të rinjsh që edhe pse nuk janë anëtarë të PS janë të gatshëm të përfshihen aktivisht në fushatën tonë.

Ndërtimi i bërthamës me gra në çdo qendër votimi

Në çdo qendër votimi ne duhet të kemi identifikuar dhe afruar një numër grash që edhe pse nuk janë anëtare të PS janë të gatshme të përfshihen aktivisht në fushatën tonë.

Roli i kryetarit të partisë në bashki

Caktoni koordinatorët e organizimit elektoral të Organizatave Socialiste

Një koordinator duhet të jetë përgjegjës për 7-10 Organizata Socialiste në bashkinë që ju drejtoni. Pra, p.sh., nëse në Bashkinë tuaj keni 40 organizata, ju nevojiten 4 koordinatorë për të realizuar procesin në OS.

Përgatitja e Materialeve për Mbledhjet e Organizatave Socialiste

Këto materiale do të përgatiten për koordinatorët e organizimit elektoral të Organizatave Socialiste, të cilët do të realizojnë në praktikë procesin në OS që u janë caktuar nga ju.

Listat e Organizatave Socialiste

Secili koordinator i organizimit elektoral të OS duhet të marrë nga ju listën e anëtarëve të OS që kanë nën përgjegjësinë e tyre. Lista duhet të përmbajë jo vetëm emrat e anëtarëve të OS, por edhe numrat e tyre të telefonit/celularit.

Në këto lista koordinatori përkatës do të kryejë shënime mbi:

Numra telefoni për anëtarët (atje ku mungojnë)

Kodi i banesës së anëtarit të OS (sipas hartës së QV dhe listave të zgjedhësve)

Kodin e banesave që çdo anëtar i OS do të marrë në patronazh

Mungesat e anëtarëve në mbledhje

Kjo listë e çdo organizate me shënimet e koordinatorit në përfundim të procesit (që do t’ju sqarojmë më poshtë) do të dorëzohet te ju dhe ju një kopje të saj do ta depozitoni te krye-koordinatori i komunikimit me kryetarët e PS të bashki/komunë në nivelin e rrethit të cilit i përkisni.

Hartat elektorale

Çdo qendre votimi i korrespondon një (ose më shumë) organizatë socialiste. Harta elektorale e çdo qendre votimi është jashtëzakonisht e rëndësishme për të ndërtuar sistemin e patronazhit, pasi ajo përmban kodet e banesave të çdo zgjedhësi e për rrjedhojë është më i thjeshtë ndërtimi i këtij sistemi. Hartat, sipas OS që mbulojnë, duhet t’ia jepni koordinatorit përkatës, pasi gjatë mbledhjes me OS ai do të punojë me hartën.

Listat e zgjedhësve për çdo qendër votimi

Këto lista ju vihen në dispozicion nga Shtabi Qendror i Organizimit Elektoral i PSSH.

Listat, përmes shënimeve që do të kryhen në to nga vetë anëtarët e organizatave socialiste, kanë për qëllim:

Të evidentojnë sistemin e patronazhit të ngritur në çdo organizatë socialiste.

Të evidentojë se për cilën forcë politike votojnë zgjedhësit.

Të marrë informacion mbi votues me influencë në qendrën e votimit.

Të sigurojë (sa më shumë që të jetë e mundur) një mundësi kontakti telefonik (celular) me zgjedhësit në çdo qendër votimi.

Për votuesit, për të cilët organizata socialiste nuk do të arrijë të mbledhë informacion se për cilën forcë politike votojnë, në një fazë të dytë ne do të përdorim teknika të tjera të identifikimit të votuesve.

Formulari për mbështetësit

Edhe ky formular ju jepet i gatshëm nga shtabi qendror, qëllimi është që koordinatori i organizimit elektoral të OS të shënojë në të çdo mbështetës të identifikuar gjatë procesit që do të kryejë.

Manuali Elektoral i Organizatës Socialiste

Ky Manual do t’u jepet nga Shtabi Qendror dhe një kopje e tij duhet t’i shpërndahet përmes koordinatorit të organizimit elektoral të OS çdo organizate socialiste.

Kalendari i Organizatave Socialiste

Tashmë që keni gati materialet për çdo OS të grupuara sipas koordinatorëve që do të realizojnë procesin në praktikë, ndërtoni bashkë me koordinatorët e organizimit elektoral të OS, si dhe me kryetarët e OS kalendarin e mbledhjeve që do të realizohen nga çdo OS me praninë e koordinatorit të organizimit elektoral të OS.

Një kopje të kalendarit të mbledhjeve për të gjitha OS në bashkinë tuaj duhet t’ia dorëzoni brenda datës 15 tetor 2008 sekretarit rajonal.

Mbledhjet

Këto mbledhje do të realizohen në praninë e koordinatorit të organizimit elektoral të OS, i cili është trajnuar paraprakisht dhe ka edhe materialet që përshkruam më lart.

Mbledhjet do të zhvillohen vetëm në rastet kur të paktën 60% e anëtarëve është prezente në mbledhje. Mbledhja e OS ka këto objektiva:

T’u japë mesazhin e qartë anëtarëve se kemi hyrë në fushatën elektorale për zgjedhjet e vitit 2009 dhe se është koha që ata të angazhohen çdo ditë në funksion të këtyre zgjedhjeve. T’u japë detyra konkrete çdo anëtari të OS në funksion të fushatës.

Sistemi i patronazhit

Identifikimi i mënyrës se si votojnë zgjedhësit.

Si të punojnë me të lëkundurit.

Të ngrejë njësitë elektorale me të rinj në territorin që mbulon organizata.

Të ngrejë njësitë elektorale me gra në territorin që mbulon organizata.

Për çdo organizatë ju duhet të vlerësoni:

Si është shpërndarja e anëtarëve nga pikëpamja e vendbanimit të tyre në qendrën e votimit? Nëse keni raste që shumica e anëtarëve banojnë në një lagje, janë nga e njëjta familje, apo banojnë në një apo dy pallate dhe pjesa tjetër e territorit të QV nuk ka anëtarë partie, kjo do të thotë se kjo organizatë duhet të punojë fort për të gjetur mbështetës të PS në pjesët e pambuluara me anëtarë.

Identifikimi i mbështetësve të PS

Në këtë fazë të punës ju vetë duhet të jeni shumë krijues, pasi për shkak të diversitetit të zonave është e vështirë që ne t’u japim të ezauruara të gjitha teknikat që ju mund të përdorni për të identifikuar mbështetësit. Pjesën më të madhe të punës do ta kryejnë koordinatorët e organizimit elektoral të OS, por ata do të kenë nevojë për ndihmën tuaj. Konkretisht, bashkë me kryetarin e bashkisë (atje ku kemi të tillë) apo me ish-kryetarin e bashkisë (atje ku kemi patur), apo me këshilltarë socialistë, ndërtoni listën e kryepleqve të vendosur nga drejtuesit lokalë të PS (ekzistues apo të mëparshëm). Kryepleqtë për shkak të detyrës (që kanë apo kanë patur) njohin shumë banorë të zonës dhe janë një burim i vlefshëm informacioni. Pasi të ndërtoni listën bashkë me koordinatorin e organizimit elektoral të OS, i takoni ata dhe u kërkoni t’ju ndihmojnë në këtë proces.

Identifikoni mësues, mjekë të familjes (poliklinikat e lagjeve) që janë anëtarë/votues/mbështetës të PS dhe që janë burim i vlefshëm informacioni për shkak të kontakteve dhe të njohjeve që kanë me banorët e territoreve ku ju punoni.

Porosi

Në çdo kontakt që keni me anëtarë dhe drejtues të OS, në çdo takim që zhvilloni me mbështetës të PS, tregohuni të kujdesshëm ndaj çdo individi: shqetësime, probleme, gëzime familjare. Koordinatori për Kontaktet me Strukturën Elektorale do t’ju telefonojë dhe ju mund t’i propozoni emrin e një apo disa individëve, të cilëve mund t’i telefonojnë drejtues të Partisë Socialiste në nivelin lokal apo atë qendror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›