Shqipëria dhe POETEKA
- Rrënimet dëshmonin për dramat e mëdha që kishin ndodhur aty në zemër të dheut. Pritnin dorën e shpëtimtarit të hedhë dritë…
Takimet e Strugës nuk e kishin shkëlqimin e dikurshëm. Shumëçka mungonte. Aty-këtu dëgjoje ndonjë poezi. E kisha lënë Saint-Etiennin, shkaku i mikut, i cili kishte arritur në Strugë pa përcjelljen e masmediave e gazetarëve shqiptarë. Turpi kishte rënë mbi ta, se çmimi ndërkombëtar nderonte edhe poezinë shqipe. Fatkeqësisht, Fatos Arapi nuk kishte një autoparlant, siç ishte parë një botues në cepin verior të Ilirisë tek tubonte shase e të sharë, që më në fund dogji letrën e tij të fundit, sepse ajo ishte nxirë.
Mirëpo, Fatos Arapi në mbrëmjen e fundit të takimeve të poetëve doli në urën mbi Drinin e Zi. Mori Kurorën e Artë, jo vetëm në emër të tij. Sidoqoftë kurora ishte vonuar. Mbretin e pellgut të Ohërisë e kishin anashkaluar. Pse? E dinë ata që trumpetonin se Lasgushi ishte i tyre.
Pas ca ditësh zbritja shkallëve të Amfiteatrit të Durrësit. Shikoja muret ciklopike dhe galeritë që ruanin kushedi çfarë fshehtësirash. Bindesha se dheu ynë kishte shpëtuar lashtësinë tonë nga fiset barbare, siç do të thoshte Kavafis. Rrënimet dëshmonin për dramat e mëdha që kishin ndodhur aty në zemër të dheut. Pritnin dorën e shpëtimtarit të hedhë dritë. Poetët e ardhur nga shumë dhera kishin zënë vend në shkallët e gurta të një galerie para Krishtit. Pakëz më vonë do t’i thonin vargjet në gjuhë të tyre, ndonjëra e njohur ndoshta për shpirtërat e fikur aty. Kisha përshtypjen se artikulimi i gjuhëve ndodhte nën hijen e perandorit Hadrian.
Sipas një katalogu që pashë atje në Durrës, shtetit shqiptar i kishte rënë ndërmend vonë se toka jonë në thellësitë e veta ruante fshehtësi kohërash të shkuara. I pari ndër arkeologët shqiptarë ishte Vangjel Toçi (viti 1966), por punimet ngadalësuan dhe ishte pikëlluese kjo që ndodhi, sepse po mbetet ende enigmë ajo që fshihet nën trupat tanë.
Ministria e Kulturës së Shqipërisë, duke parë se ajo që ngriti e para një vend në piedestal është arti, fjala, e bëri një gjest nga më të mirët, ua besoi krijuesve të brezit Arian Lekës, Agron Tufës, Lindita Arapit, Ervin Hatibit, Gentian Çoçolit dhe të tjerëve që po bënin çmos për afirmimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Edicioni IV i festivalit ndërkombëtar të literaturës dhe poezisë POETEKA, që u zhvillua në Durrës, dhe drejtohet nga poeti Arian Leka, dëshmoi se Shqipëria ka forcë intelektuale e krijuese të bëjë shumëçka për afirmimin e vlerave kombëtare dhe çështjen shqiptare, t’ia kthejë famën vendit.
POETEKA ndër manifestimet më të mëdha, jo vetëm në Ballkan, paksa ma kujtonte Mitingun e Poezisë në Gjakovë, ku në Stadiumin “Shani Nushi” tuboheshin mijëra dashamirë të poezisë. Ishte ky manifestim i madh kombëtar, por injoranca jonë e shoi thuajse këtë traditë. Ishte e kurdisur nga dora e Kasapit të Ballkanit, i cili rrënoi edhe shumë institucione kulturore, duke e mbështetur atë thënien e turpshme se gjithçka fillon nga unë.
Në Dardani pa kaluar pragun e shtëpisë, ma priti një gazetshitës: ke dëgjuar se e kanë sharë POETEKA-n, që nuk i paska ftuar do kalemxhi. Vërtet më erdhi keq, në mes atyre poetëve nga të gjitha vendet e dheut vallë çdo të duheshin servilët, ata që turren pas posteve, ose ata që i përdorin dhe për trampolinë që të hidhen diku e të nxijnë hapësirën e bardhë të letrës. Për të qenë në mes të atyre poetëve aq të njohur, a duhej t’u mbetej qejfi do kalemxhinjve..?! Nuk do ishte mirë që dikush tjetër ta digjte dhe letrën e tij të fundit.
Pra, ishte kënaqësi të shihje Shqipërinë si zgjohej në mesin e korit të poetëve që, lexonin, shëtisnin e vështronin të etur nëpër ambjentet antike, ku spektatorë ishin edhe perënditë e lashtësisë.