E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarakët, peticion Topit: Duam lekët, ndryshe protesta

Ushtarakët zhvilluan protestën e lajmëruar. Pas datës 20 në shesh çdo ditë, në rast se nuk kalon projektligji
TIRANË- Ushtarakët në rezervë kanë zhvilluar dje protestën e paralajmëruar në kërkim të plotësimit të të drejtave të tyre ligjore, të sanksionuar para disa kohësh edhe nga Gjykata Kushtetuese. Zbatimi i Statusit të Ushtarakut për trajtime financiare në përputhje me vendimin e formës së prerë të Gjykatës Kushtetuese, të datës 26 shkurt 2006, ishte edhe kësaj radhe thelbi i protestës së ushtarakëve në lirim. Ushtarakët në rezervë kanë nënshkruar dhe një peticion drejtuar Kryeministrit, Presidentit dhe Kryetares së Kuvendit, ku kërkojnë që brenda datës 20 dhjetor, të paraqitet dhe të miratohet projektligji sipas vendimit të Kushtetueses. Ky vendim heq diferencimin mes kategorive të ushtarakëve për kohën e daljes në pension. Vendimi u njeh ushtarakëve edhe të drejtën e dypunësimit. Me thirrjet "Duam paratë tona", "NATO do standarde", "Jo persekucionit të ushtarakëve" etj., qindra ushtarakë në lirim kanë protestuar fillimisht në sheshin "Skënderbej" për të vijuar më pas përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit", duke u ndalur edhe përpara institucioneve më të larta shtetërore si Presidenca, Kryeministria apo edhe përpara Ministrisë së Mbrojtjes, si ministria e linjës. Për më shumë se një orë, nën kujdesin e organizatës "Mjaft!" dhe me mbështetjen simbolike edhe të një përfaqësie të opozitës, e përbërë nga deputetët Erion Braçe, Blendi Klosi, Arben Isaraj, Shpëtim Idrizi, Musa Ulqini, Ndre Legisi, Piro Lutaj etj., ky grup social ka tubuar në mënyrë paqësore, duke kërkuar nga drejtuesit e lartë shtetërorë, në veçanti nga kryeministri Sali Berisha, që të marrë parasysh vështirësitë ekonomike me të cilat përballet sot kjo shtresë dhe të miratojë sa më parë ligjin për pensionet suplementare të ushtarakëve sipas gradave. "Nëse dikur qeveritë nuk na deshën, qeveria aktuale po tregon se jo vetëm nuk na përfill, por na urren për motive që ajo i di, por që janë të pabaza. Kryeministri Berisha përpara përfaqësuesve të NATO-s dhe në BE ka deklaruar se do të bëj reforma ligjore, por ne duam t'i themi sot se ligjet e reja nuk kanë asnjë vlerë, në rast se nuk zbaton ato që ke",- u shpreh presidenti i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë, Mehdi Pogaçe, gjatë fjalës që mbajti në hapjen e këtij mitingu. Gjithashtu, drejtues të tjerë të kësaj shoqate kanë shprehur keqardhjen për indiferencën që kanë treguar në këtë proces ushtarakët madhorë. Sipas tyre, asnjë ushtarak aktiv nuk ka qenë në grupin e punës që është përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes për pensionet suplementare. Ndërkohë që duke u ndalur përpara Ministrisë së Mbrojtjes ata nuk kanë nguruar të kërkojnë dhe dorëheqjen e ministrit, Fatmir Mediu, duke paralajmëruar gjithashtu se në rast se kërkesa e tyre nuk merr përgjigje, atëherë ata do të dalin çdo ditë në protesta. Kërkesë, e cila duket se është mbështetur edhe nga deputetët opozitarë, pjesëmarrës në këtë tubim, të cilët kanë evidentuar faktin se diskriminimi i kësaj shtrese nga ana e qeverisë bëhet për bindje politike. "Qeveria, të gjithë këta njerëz dhe gjithë këtë shtresë e trajton në mënyrë ideologjike. Në rast se ministri i Mbrojtjes nuk gjen kohën dhe mundësi që të kërkojë plotësimin e këtyre kërkesave në qeveri, le të vijë në opozitë se do ia japin ne suportin që t'ia kërkojë këtë gjë Kryeministrit të tij. Në rast se ministri i Mbrojtjes është i pamundur ta bëjë këtë gjë, le të largohet dhe le të vijë ministër tjetër",- u shpreh nënkryetari i grupit socialist, Erion Braçe.
Ndërkohë që duke u ndalur përpara Ministrisë së Mbrojtjes ata nuk kanë ngurruar të kërkojnë dhe dorëheqjen e ministrit, Fatmir Mediu, duke paralajmëruar gjithashtu se në rast se kërkesa e tyre nuk merr përgjigje, atëherë ata do të dalin çdo ditë në protesta.
Nëse dikur qeveritë nuk na deshën, qeveria aktuale po tregon se jo vetëm nuk na përfill, por na urren për motive që ajo i di, por që janë të pabaza. Kryeministri Berisha përpara përfaqësuesve të NATO-s dhe në BE ka deklaruar se do të bëjë reforma ligjore, por ne duam t'i themi sot se ligjet e reja nuk kanë asnjë vlerë, në rast se nuk zbaton ato që ke.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›