E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia e grupit të PS: Votë kundër Bujar Leskajt

TIRANE- Kryesia e grupit parlamentar të PS-së, vendosi dje, që në seancën e javës që vjen, deputetët e opozitës të mos votojnë pro dekretit të Presidentit për kreun e KLSH-së, Bujar Leskaj. Lajmi bëhet i ditur nga Gazeta Shqiptare, që i referohet burimeve nga mbledhja e kryesisë së grupit të PS-së. Mësohet se kandidatura e Leskajt konsiderohet sërish një figurë politike, pasi ai vijon të jetë anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, ndaj edhe kjo, sipas të majtëve bie ndesh me një prej pikave të paktit prej 10 pikash, propozuar nga Edi Rama.

Deputetët e PS-së, pas diskutimeve të shumta, ditën e enjte do të votojnë sërish kundër kandidaturës së propozuar nga Presidenti për Kontrollin e Lartë të Shtetit. Edhe herën e kaluar, kur Topi propozoi Sali Shehun në këtë post, socialistët votuan kundër, pikërisht për të njëjtën arsye. Gjithsesi vendimi zyrtarisht do të merret, gjatë mbledhjes së zgjeruar të grupit, fillimjavën që vjen, por drejtuesit e grupit, kanë vendosur që të mos ndryshojnë qëndrim edhe në këtë rast.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›